Deri në fund të korrikut, mbarë Europa do të jetë e mbërthyer nga temperaturat përvëluese. Vetëm javën e ardhshme meteorologët presin një freskim të motit, por ai do të zgjasë vetëm për pak ditë. Ulja me 6 gradë e temperaturave do të jetë e ndjeshme edhe në vendin tonë.
Por ditët me mot të freskët nuk do të zgjasin shumë. Një tjetër valë të nxehti, me temperatura edhe më të larta se vala e parë, do të përfshijë sërish kontinentin europian.
Në këtë verë të pazakontë, sa i përket kohëzgjatjes së temperaturave ekstreme, mjekët këshillojnë popullatën, por edhe turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë: shmangni daljet në orët e pikut, qëndroni në ambiente të freskëta dhe konsumoni sa më shumë ujë!
Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare, tregon për A2 CNN se çdo ditë 1800 qytetarë kërkojnë ndihmën e urgjencës për probleme të shkaktuara nga i nxehti. Zyrtarisht nuk ka viktima nga i nxehti në vendin tonë, por temperaturat e larta mund të bëhen shkak për infarkte dhe goditje cerebrale.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për kujdes në këto temperatura, veçanërisht për fëmijët dhe të sëmurët kronikë. Ndërsa për pushuesit që i janë drejtuar zonave bregdetare, janë në gatishmëri 36 qendra shëndetësore verore.