Një akt i jashtëzakonshëm guximi dhe humanizmi është regjistruar sot në Padova të Italisë, ku një shqiptar 32-vjeçar i ka shpëtuar jetën një të moshuari italian, pasi makina e këtij të fundit përfundoi në ujërat e kanalit Battaglia.
Heroi është Elton Zefi, shtetas shqiptar, i cili sot, pikërisht ditën që mbushi 32-vjeç, u gjend në vendin e duhur, në momentin e duhur, dhe pa hezituar asnjë çast u hodh në ujë për të shpëtuar një jetë.
“Pashë makinën që po zhytjej, hoqa rrobat dhe u futa. Ai po vdiste”
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:30, ndërsa Eltoni po kalonte me një koleg në një rrugë të ngushtë përgjatë kanalit Battaglia, teksa përpiqeshin t’i shpëtonin trafikut të rënduar. Disa persona të shqetësuar pranë kanalit u treguan se një makinë kishte rënë në ujë dhe po largohej nga bregu me gjithë shoferin brenda.
Me trupin e tij prej sportisti, pothuajse 2 metra i gjatë dhe 95 kilogramë, Eltoni vendosi menjëherë të ndërhyjë:
“U zhvesha dhe u përgatita të futesha. E kuptova që në pak minuta makina do të fundosej dhe i moshuari brenda do të vdiste.”
Një tjetër qytetar u hodh bashkë me të në ujë. Të dy u munduan të thyenin xhamat, por asnjë tentativë nuk funksionoi. Situata po bëhej dramatike.
Shpresa e fundit: një dritare e hapur dhe një dorë që kërkonte ndihmë
“Papritur pashë një dorë që lëvizte nga sedilja e pasme,” – tregon Eltoni.
Ai kuptoi se dritarja e pasme ishte e hapur dhe se ai kishte vetëm një mundësi të fundit për ta nxjerrë të moshuarin.
“U përpoqa disa herë. Më kishin zënë krampet, i ftohti ishte i tmerrshëm. Po ndihesha gati të dorëzohesha. Por bëra një përpjekje të fundit me fuqinë që më kishte mbetur… dhe e nxorra.”
Të dy e tërhoqën të moshuarin në breg, ku pak më pas mbërritën zjarrfikësit dhe ekipet e ndihmës së shpejtë.
Vetëm më vonë Eltoni zbuloi se i moshuari 85-vjeçar që ai shpëtoi ishte Giuseppe Salvalajo, sipërmarrës nga Loreggia dhe pronar i Villa Molin në Mandria, vend ku Eltoni kishte punuar vite më parë.
“Kur iu prezantova, më njohu menjëherë dhe më përqafoi. Ishte një moment i jashtëzakonshëm, që më shpërbleu për gjithë lodhjen fizike dhe mendore,” – rrëfen ai, i emocionuar.
“Munda të kisha vdekur… por mendova se në atë makinë mund të ishte familjari im”
I martuar dhe baba i dy fëmijëve, Eltoni jeton në zonën Arcella të Padovës. Ai thotë se nuk mendoi për rrezikun:
“Po, rrezikova jetën, por mendova se në atë makinë mund të ishte një familjar i imi, një mik i imi. Në raste të tilla nuk duhet frikë: duhet të veprosh.”
Rasti që po qarkullon në Itali: “Dy engjëj që i shpëtuan jetën një njeriu”
Media italiane e ka cilësuar Zefin dhe qytetarin tjetër që e ndihmoi si “dy engjëj” që shmangën një tragjedi të sigurt. Pamjet e publikuara nga Telenuovo tregojnë momentet dramatike të shpëtimit, ndërsa autoritetet në mbrëmje rikuperuan makinën e fundosur të 85-vjeçarit.
Eltoni e mbylli ditën me fjalët:
“Të shpëtosh një jetë është dhurata më e bukur e ditëlindjes që mund të merrja ndonjëherë.”