GJKKO ka bërë një vlerësim të detajuar mbi rastin e hetimeve penale ndaj ish-zyrtarëve të lartë, duke përfshirë Belinda Ballukun, të pezulluar nga detyra dhe vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, lidhur me dy procedura prokurimi “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Ndaj ministres u caktuan masat e pezullimit nga detyra dhe sekuestrimi i pasaportës, ndërsa për dy vartësit e saj, administratorin e KESH, Erald Elezi dhe drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli u la në fuqi masa “arrest shtëpie”.
Sipas Gjykatës, ekziston rreziku që Belinda Balluku të arratiset dhe të prishë provat e hetimit. Po ashtu ajo mund të dënohet deri në 5 vite burgim.
Në rastin e hetimeve të saj, Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethana që tregojnë dyshim të arsyeshëm për kryerjen e veprave penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim. Këto vepra lidhen me veprimet që kanë krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, duke penguar konkurrencën e ndershme në procedurat e prokurimit.
Sipas Gjykatës, subjekt i kësaj vepre penale mund të jetë vetëm personi me funksion shtetëror ose publik, ndërsa nga ana subjektive, krimi kryhet me dashje të drejtpërdrejtë, shpesh për arsye interesi personal, lidhjesh me të afërm, miq ose për përfitime materiale dhe morale.
Vlerësimi i Gjykates me argumente Organi i akuzës ka arritur në konkluzionin se nga aktet e administruara ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se në lidhje me zhvillimin e procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tirane. Loti 4”, me numër REF-02817-08-13-2021, shtetasja Belinda Balluku, duke qenë në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga Institucioni në varësi të kësaj Ministrie.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, në fazën përgatitore, gjatë zhvillimit të procedurës, në fazën e dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave. Shtetasja Belinda Balluku nën cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, Jonida Avdolli, Adrian Kroi, Denis Xhoxhi, si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Erald Elezi.
Klarita Konomi, Miranda Shkurti, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues “Euroteorema Peqin” sh.p.k. “PE-VLA-KU” sh.p.k, dhe “Nova Construction 2012” sh.p.k. duke vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020. “Për prokurimin publik”, nenet 14. 18, 19, 21, 42/2, 56, 75/2, 76, 77, 80, 92, 95 të tij, me ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, nenin 3 të tij si dhe VKM nr. 285, datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, nenet 7 (pika 1. 2 dhe 9), 27, 47 (pikat 2, 3, 4), 73, 75, 82, 88, 93 të tij duke konsumuar elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.
E drejta për liri dhe siguri, e parashikuar në nenin 27 të Kushtetutës është një nga vlerat themelore në një shoqëri demokratike. Në këtë dispozitë kushtetuese, shprehimisht thuhet: “Askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveçse në rastet dhe sipas procedurave të parashikuara në ligj.” Megjithatë, edhe e drejta për liri dhe siguri, si çdo e drejtë tjetër mund të kufizohet për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. 160. Një nga rastet kur e drejta e individit për liri dhe siguri mund të kufizohet është kur ka dyshime të arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale, parashikuar në shkronjën “c” të paragrafit 2 të nenit 27 të Kushtetutës. Procedura ligjore e kufizimit të së drejtës së individit për liri dhe siguri kur ka dyshime të arsyeshme se ai ka kryer një vepër penale është detajuar në mënyrë të hollësishme në K.Pr. Penale dhe më konkretisht në Titullin V të tij me titull “Masat e sigurimit” (nenet 227-276 të K.Pr. Penale).
161. Gjykata e çmon të nevojshme paraprakisht që të evidentojë se në lidhje me kërkesën për caktimin e masës së sigurimit pa pjesëmarrjen e personit të hetuar (inaudita altera parte pa u dëgjuar pala tjetër), Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë janë shprehur me vendimin unifikues nr. 4 dt. 24.06.2009, ku ndër të tjera theksojnë: “… Kodi i Procedurës Penale ka parashikuar dy mënyra për caktimin e masave të sigurimit personal. Mënyra e parë dhe që është rregulli për caktimin e masave të sigurimit është ajo që parashikohet nga neni 244 e vijues i këtij Kodi.
Sipas këtij rregullimi është prokurori, i cili, mbasi ka vlerësuar në mënyrë të njëanshme se në ngarkim të personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet për një vepër të caktuar penale ekziston dyshimi i bazuar në prova për kryerjen e veprës penale, duke patur parasysh kushtet dhe kriteret që parashikon Kodi i Procedurës Penale, në nenet 228 e vijues të tij, i bën kërkesë gjykatës që të caktojë një masë sigurimi personal, me qëllim që të garantojë nevojat e sigurimit. Në këtë rast givkata verifikon nëse ekzistojnë realisht nevojat e sigurimit dhe nëse ekzistojnë kushtet për caktimin e masës së sigurimit personal dhe duke verifikuar rrethanat faktike, përcakton llojin e masës së sigurimit në përputhje me kriteret ligjore, me kushtin e vetëm që masa të mos jetë më e rëndë se ajo që kërkohet nga prokurori.
Kjo procedurë që ndiqet për caktimin e masës së sigurimit nuk bazohet në parimin e kontradiktorialitetit dhe nuk garantohen të drejta themelore që ka personi ndaj të cilit caktohet masa e sigurimit për tu dëgjuar, për tu mbrojtur vetë ose me avokat, për të ngritur pretendime dhe paraqitur prova, pasi në vetvete kjo procedurë e caktimit të masës së sigurimit nuk është një gjykim i mirëfillte me elementet që ai ka të përcaktuar sipas Kodit të Procedurës Penale, për shkak se, nevojat e sigurimit, këtë fazë të procedimit e konsiderojnë sekret dhe nuk e detyrojnë as prokurorin dhe as gjykatën të njoftojnë të pandehurin dhe mbrojtësin e tij lidhur me këtë veprim procedurial. Ky rregullim ligjor është logjik, sepse në themel do të garantojë që një person që dyshohet të ketë kryer një vepër penale, të mos kryeje një vepër tjetër, të mos vërë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, apo t’i largohet dhe shmanget procedimit penal. Këto janë dhe shkaqet që prokurori, edhe pse nuk kemi një gjykim me palë, duhet t’ia parashtrojë dhe provojë gjykatës se ekzistojnë së bashku ose veçmas kushtet dhe kriteret për caktimin e një mase të sigurimit personal….”.