Arben Uka i cili së bashku me 24-vjeçarin Julian Çumraku po i bëjnë “zbor” RENEA-s në Orosh dhe kërcënojnë se do të qëllojnë me armë, mësohet se është ish-komando në Ushtrinë Shqiptare. Sipas raportimeve, Arben Uka i njohur si Hamza, së bashku me të riun Julian Çumraku kanë qenë më parë në Siri dhe i përkasin organizatave terroriste.
Mësohet RENEA ka blinduar zonën dhe po përpiqet të negociojë me dy personat që të dorëzohen. Deri tani pa rezultat ndërsa policia ka sjellë në vendngjarje vëllain e 24-vjeçarit, me qëllim që të bindë të vëllain dhe Arben Ukën të lëshojnë armët dhe të dorëzohen para policisë.
Situata është tensionuar. Në vendngjarje ndodhet dhe një ambulancë ndërsa të tjera detaje priten në vijim në varësi të operacionit. Julian Çumraku dhe Arben Uka mësohet se prej kohësh janë ngujuar në ndërtesën e pabanuar në pronësi të gjyshit të 24-vjeçarit.