Ndarja nga jeta parakohe në moshën 40-vjeçare e këngëtarit Shpat Kasapit, ishte tronditës për familjarët, miqtë dhe publikun.
Kasapi ndodhej në Itali së bashku me të shoqen dhe djalin e tyre 4-vjeçar, për një kontroll mjekësor për të birin, kur në orët e vona të së martës është ndjerë papritur keq dhe ka ndërruar jetë.
Në një intervistë për gazetaren e Top Channel Ana Kurti, vëllai i tij, Albini, u shpreh se ndihma e parë mjekësore i është dhënë në banesë, por nuk ka mundur që të mbijetojë. Ai tha se deri tani dyshohet se shkak për ndarjen nga jeta është bërë një arrest kardiak.
Në gjendje të rënduar dhe të shokuar nga lajmi, ai tha se po shpreson që ky lajm që u erdhi nga Italia të mos ishte i vërtetë, por për fat të keq vdekja e tij u konfirmua.
I pyetur nëse më parë këngëtari ka pasur probleme shëndetësore, vëllai i tij tha se ka pasur disa shqetësime të vogla nga zemra, por jo diçka serioze.
Trupi i tij ndodhet në Itali, ndërsa në vijim pritet që të kryhen procedurat për të mbërritur pranë familjarëve. /Top Channel/