Detajet e operacionit sekret: E veshur me paruke dhe maskim, si u nxor Machado nga Venezuela nën hundën e regjimit të Maduros

E veshur me paruke dhe maskim, 10 postblloqe ushtarake dhe një skaf prej druri – Detajet që e bëjnë arratisjen si një film Hollivudi

María Corina Machado nisi arratisjen e saj dramatike të hënën pasdite, e veshur me paruke dhe maskim, duke u larguar nga periferia e Caracas-it, ku kishte jetuar e fshehur për më shumë se një vit.

Qëllimi: të mbërrinte në Norvegji deri të mërkurën për të marrë çmimin Nobel për Paqen – një nga aktet politike më të guximshme të një udhëheqëseje opozitare në historinë moderne të Venezuelës.

Operacioni sekret, i përgatitur për rreth dy muaj, përfshinte një itinerar tepër të rrezikshëm: nga Caracasi në një fshat bregdetar peshkatarësh, nga aty me një skaf druri përmes Karaibeve, e më pas një fluturim privat drejt Oslos.

10 orë përmes postblloqeve ushtarake

Sipas një personi të afërt me operacionin, Machado udhëtoi për rreth 10 orë, duke kaluar 10 postblloqe ushtarake, çdo herë duke rrezikuar kapjen. Ajo mbërriti në bregdet rreth mesnatës, ku pushoi për pak orë para se të nisej drejt etapës më të rrezikshme: kalimit të detit.

Të martën në orën 05:00, Machado dhe dy bashkëpunëtorët e saj hipën në një skaf të thjeshtë prej druri, duke luftuar me erërat e forta dhe detin e trazuar në drejtim të Curaçao-s.

Rreziku nuk vinte vetëm nga autoritetet venezuelase. Në tre muajt e fundit, Ushtria amerikane kishte bombarduar mbi 20 mjete të ngjashme detare në Karaibe, duke vrarë më shumë se 80 persona që i akuzonte për trafik droge. Për këtë arsye, rrjeti venezuelas që po e ndihmonte Machado-n u koordinua me Ushtrinë amerikane.

“Ne njoftuam saktësisht zonën nga ku do të nisej, që të mos shpërthenin skafin”, tha personi i përfshirë në plan.

Ndërhyrja amerikane dhe prania ushtarake në rajon

Burime të ndryshme thanë se administrata Trump ishte në dijeni të operacionit, megjithëse niveli i përfshirjes së SHBA-ve mbetet i paqartë. Në të njëjtën kohë që skafi po lundronte drejt Curaçao-s, dy avionë amerikanë F-18 u futën në Gjirin e Venezuelës, duke bërë rreth 40 minuta manovra rreth itinerarit të mundshëm detar.

SHBA-të kanë vendosur në rajon edhe aeroplanmbajtësen USS Gerald Ford, të ngarkuar me dhjetëra avionë luftarakë – pjesë e një grumbullimi ushtarak që ka tensionuar më tej marrëdhëniet me Caracas-in.

Pushim në Curaçao dhe fluturimi final drejt Oslos

Machado mbërriti në Curaçao rreth orës 15:00 të së martës, e rraskapitur nga udhëtimi. Ajo qëndroi një natë në hotel dhe të mërkurën në mëngjes hipi në një avion privat drejt Oslos, siguruar nga një bashkëpunëtor në Miami.

Para ngritjes, ajo regjistroi një mesazh audio, duke falënderuar “aq shumë njerëz… [që] rrezikuan jetët e tyre” për t’i mundësuar arratisjen.

Udhëtimi i saj u mbajt aq sekret, saqë vetë Instituti Nobel nuk e dinte nëse Machado do të mbërrinte në Norvegji në kohë. Gjatë ceremonisë, kryetari i Komitetit Nobel, Jørgen Watne Frydnes, tha se ajo kishte kaluar “një udhëtim në kushte rreziku ekstrem”.

Çmimin e mori vajza e saj, Ana Corina Sosa, e cila deklaroi para të pranishmëve: “Ajo do të kthehet në Venezuelë shumë shpejt”.

Pas Oslos: Europë, SHBA dhe një betejë e re politike

Machado pritet të pushojë disa ditë në kryeqytetin norvegjez. Ka jetuar në izolim total, me pak ushqim dhe pa kontakt fizik me njerëzit për gati 16 muaj.

Pas një jave, ajo synon të nisë një tur evropian për të kërkuar mbështetje për kauzën venezuelase dhe më pas të udhëtojë drejt Washington-it, sipas bashkëpunëtorëve të saj.

Ndërkohë, në Oslo, ndërsa të ftuarit uleshin për darkën zyrtare me pesë pjata të shërbyera me servisin special të Nobelit, detajet e arratisjes së saj po qarkullonin mes diplomatëve dhe zyrtarëve të SHBA-ve dhe Venezuelës.

Në ndërtesën historike të Grand Hotel, Machado u shfaq më pas para mbështetësve, nga ballkoni – një moment simbolik, pas një udhëtimi që sfidoi regjimin venezuelas dhe përforcoi statusin e saj si figurë qendrore të opozitës.

Në Caracas, zyrtarët shpërthyen në akuza. Zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez e cilësoi arratisjen si “shfaqje të dështuar” dhe akuzoi Machadon për bashkëpunim me SHBA-të në “grabitjen e pasurive të Venezuelës”.

Prokurori i përgjithshëm, Tarek William Saab, ka paralajmëruar se udhëheqësja opozitare do të konsiderohet “e arratisur” nëse nuk kthehet, duke lënë të hapur mundësinë që Machado të mos lejohet më të hyjë në vendin e saj.

A do ta dëmtojë apo forcojë opozitën largimi i saj?

Edhe pse largimi nga vendi mbart rrezikun e izolimit politik – siç ka ndodhur me udhëheqës të tjerë venezuelas në mërgim – figura të opozitës besojnë se Machado do të jetë edhe më e fuqishme nga jashtë, e aftë të lobojë, të mobilizojë mbështetës ndërkombëtarë dhe të shtyjë për më shumë presion ekonomik e diplomatik ndaj Maduros.

Ajo e ka përkrahur publikisht ndërtimin ushtarak amerikan në rajon dhe ka deklaruar: “Maduro e nisi këtë luftë, dhe Presidenti Trump po e përfundon”,

Related Posts

Hòròskopi/ Do të fitoni çmendurisht LEK ne kete dite qe nuk e kishit menduar kurre kurrë

Dashi – Gjatë kësaj dite do përjetoni emocione kontradiktore dhe shpesh nuk do dini as se si të veproni. Ju të dashuruarit nuk do bëni aspak lëshime…

35 vite nuk kanë rreshtur së kërkuari Jetnorin dhe Valmirin: Dy nënat nga Korça besojnë në mrekulli

Një dhimbje 35-vjeçare, e pashuar dhe e mbartur me kurajë, shpaloset sot si një apel urgjent për publikun. Historia e kësaj familjeje modeste nga Floqi i Korçës,…

“Mësuesit e shkollave publike ‘zvarritin’ mësimin për të detyruar nxënësit të shkojnë në kurset e tyre private”

Një mësuese e sapodalë në pension ka dërguar një apel në redaksinë e JOQ Albania, ku shpreh shqetësimin e saj për një fenomen që, sipas saj, po…

Arbana Osmani trazon rrjetin, çfarë po ndodh mes saj dhe Eduartit?

Moderatorja e njohur Arbana Osmani është bërë pjesë e diskutimeve në rrjetet sociale pas një detaji që nuk u shpëtoi ndjekësve në postimin e saj të fundit….

Njihuni me 3 shenjat e horoskopit që do ta mbyllin 2025-ën me fat dhe shumë surpriza

Teksa po i afrohemi ditëve të fundit të vitit, disa shenja të zodiakut pritet të marrin hov dhe të përjetojnë ndryshime pozitive si në planin personal, ashtu…

LAJM i FUNDIT/ ZGJIDHET kreu i RI i SPAK! Ja kush është

Mbledhja e KLP, Klodjan Braho zgjidhet drejtues i SPAK me 7 vota. Adnan Xholi mori 3 vota, Elvin Gokaj 1 votë dhe Doloreza Musabelliu asnjë votë. Vijon…