Policia e Vlorës ka njoftuar arrestimin e tre personave, të dyshuar si autorë të pengmarrjes së një të riu nga Kosova.
Sipas policisë, ngjarja lidhet me një borxh të pashlyer, ndërsa i riu dyshohet se është mbajtur peng për rreth dy javë në një banesë në lagjen “Osman Haxhiu”, në qytetin e Vlorës.
Ndërkohë që tre të arrestuarit pritet të dalin përpara togave të zeza, pala mbrojtëse ka përgatitur materialet e saj. Në fashikujt e dorëzuar nga avokatët përfshihen video dhe fotografi, ku shfaqet i riu nga Kosova, i cilësuar nga policia si viktimë e pengmarrjes, së bashku me personat e arrestuar.
Në pamjet filmike dhe fotografitë e paraqitura, personat duken duke drekuar së bashku dhe duke u sjellë në mënyrë të qetë, çka sipas mbrojtjes tregon se ata njiheshin me njëri-tjetrin dhe se nuk bëhet fjalë për një situatë pengmarrjeje.
Sipas pretendimeve të palës mbrojtëse, i riu nga Kosova ka ardhur në Vlorë me valixhe dhe veshmbathje personale, me qëllimin për të qëndruar aty për një periudhë kohe. Mbrojtja thekson gjithashtu se denoncimi për pengmarrje është bërë nga motra e tij, e cila jeton në Suedi.
Avokatët pretendojnë se i riu u kërkonte para familjarëve për të shlyer një borxh, për të cilin kishte dalë garant, dhe se rasti është keqinterpretuar si pengmarrje sipas tyre.
Nga ana e shërbimeve të Policisë Gjyqësore, në banesën ku pretendohej se janë gjetur të rinjtë dhe pengu i tyre, është gjetur edhe valixhja me rrobat dhe veshmbathjet personale të tij, fakt që sipas mbrojtjes mbështet pretendimin se ai kishte shkuar aty për të qëndruar.
Edhe pse në pamje nuk dallohet qartë data dhe ora e regjistrimit, videot tregojnë se personat njihen mes tyre dhe komunikojnë lirshëm.
Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa pritet që gjykata të vlerësojë provat e paraqitura nga të dyja palët./Top Channel