Policia e Vlorës ka njoftuar arrestimin e tre personave, të dyshuar si autorë të pengmarrjes së 39-vjeçarit Fisnik Xhaka nga Kosova. Sipas policisë, ngjarja dyshohet se lidhet me një borxh të pashlyer, ndërsa shtetasi kosovar pretendohet se është mbajtur peng për rreth dy javë në një banesë në lagjen “Osman Haxhiu”, në qytetin e Vlorës.
Ndërkohë, ndërsa tre të arrestuarit pritet të dalin përpara gjykatës, pala mbrojtëse ka dorëzuar materialet e saj, ku përfshihen video dhe fotografi. Në to shfaqet 39-vjeçari së bashku me personat e arrestuar, duke drekuar dhe duke komunikuar lirshëm.
Sipas avokatëve mbrojtës, pamjet tregojnë se palët njiheshin mes tyre dhe se nuk bëhet fjalë për një situatë pengmarrjeje. Mbrojtja pretendon se i riu nga Kosova ka ardhur në Vlorë vullnetarisht, i pajisur me valixhe dhe veshmbathje personale, me qëllim që të qëndronte për njëë kohë.
Avokatët theksojnë se denoncimi për pengmarrje është bërë nga motra e tij, e cila jeton në Suedi, ndërsa sipas tyre, 39-vjeçari u kërkonte ndihmë financiare familjarëve për të shlyer një borxh, për të cilin kishte dalë garant, çka ka çuar në keqinterpretimin e rastit.
Nga verifikimet e Policisë Gjyqësore, në banesën ku pretendohej se mbahej peng 39-vjeçari, është gjetur edhe valixhja me sendet e tij personale, fakt që, sipas mbrojtjes, përforcon pretendimin se ai kishte shkuar aty për të qëndruar.
Edhe pse në pamjet e paraqitura nuk dallohet qartë data dhe ora e regjistrimit, videot tregojnë një sjellje të qetë dhe komunikim të lirë mes personave. Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa pritet që gjykata të vlerësojë provat e paraqitura nga të dyja palët.