Ditën e sotme bëri bujë lajmi se kreu i SPAK, Klodian Braho, ka kërkuar në KLP shtimin e sigurisë për paraardhësin e tij Altin Dumani dhe disa prokurorë të tjerë. Por ky lajm ka ngjallur habi, pasi Dumani nuk është më në krye të SPAK dhe askush nuk është marrë me të publikisht.
Në fakt Dumani si ish-kreu i SPAK mbrohet drejtpërdrejt nga ligji dhe jo nga KLP. Vetë qeveria në vendimin nr.478, datë 10.07.2019 ka përcaktuar procedurat e mbrojtjes së kreut të SPAK, procedura që zgjasin edhe pas largimit të tij nga detyra. Në tetor të vitit që lamë pas kjo VKM u ndryshua dhe u vendos që kreu i SPAK të ketë mbrojtje maksimale edhe 3 vite pas largimit nga detyra.
Dumani vijon të përdorë të njëjtin automjet, pra “Audi”-n e zi të blinduar, shoqërohet me ushtarë të Gardës dhe po ashtu me makina policie. Pra siguria e tij është në nivel maksimal dhe nuk ka se çfarë sigurie të ketë më tepër. Siç shihet dhe te videoja më poshtë:
Mësohet se Dumani ka kërkuar shtim të sigurisë dhe zgjatje të saj për familjen e tij. Dhe KLP këtë kërkesë ka miratuar. Dumani pretendon se ata mund të jenë në rrezik.
Por teksa Dumani gjatë 3 viteve ka lëvizur me siguri maksimale, familja e tij po ashtu, pse shqetësohet tani që ka në dorë “çelësat e kashtës”? Dumani është pjesë vetëm në disa dosje, por jo si prokuror kryesor. Gjatë kohës që ai ishte në krye të SPAK ka hyrë si prokuror mbështetës në disa dosje dhe nuk ka qenë iniciues drejtpërdrejt në hetime.
Show i Altin Dumanit me rritjen e sigurisë, çfarë e tremb tani
Siguria e Dumanit
Nëse Dumani ka zbatuar ligjin dhe ka qenë korrekt, nuk ka pse të ketë frikë. Atyre që u ka rënë rruga nga godina e SPAK, në shumë raste kanë parë mjaft prokurorë që lëvizin pa roje, pa makina, pa asnjë lloj sigurie. Kjo sepse ata janë korrektë në punën e tyre. Pra lajmi sot më shumë i ngjan show-t sesa rrezikut real ndaj Dumanit
Dumanin nuk e ka zënë më kush në gojë muajt e fundit. I vetmi lajm që ka dalë është ai ku Dumani ishte nën shoqërinë e një personi të dënuar gjatë një feste familjare. Ndoshta ky lajm Dumanit do t’i jetë dukur si kërcënim dhe është trembur. Ndërkohë që në SPAK ka prokurorë që kanë hetuar bandat e armatosura, janë kërcënuar familjarisht nga krimi dhe sërish nuk kanë mbrojtje
Nëse do të ishte kërcënuar vërtet Dumani, SPAK do e kishte gjetur brenda ditës kërcënuesin. Pastaj nëse bëhet fjalë për akuzat dhe deklaratat në media, atëherë është histori tjetër, pasi kjo ngjan me historinë e Adriatik Llallës. Edhe ish-kryeprokurori para se të linte detyrën doli të bënte viktimën se ishte kërcënuar dhe nxori familjen jashtë, metodë kjo për t’u arratisur më pas. Por të paktën Llallës i shkoi një mesazh në telefon, por Dumani duket se trembet vetëm nga “bullizimi” në media”. Apo mos ndoshta ish-kreu i SPAK tani kërkon vëmendjen sepse nuk merret kush me të. /Pamfleti