Moderatorja e dashur për publikun, Arbana Osmani, ka ndarë me ndjekësit në Instagram një reflektim të sinqertë, duke zbuluar një “peng” që e ka munduar vitet e fundit dhe vendimin që ka marrë për ta ndryshuar atë.
Në një postim në InstaStory, Arbana ka treguar se i ka vënë vetes një qëllim të ri për këtë vit, i cili nuk lidhet me televizionin, por me pasurimin e mendjes dhe shpirtit.
Arbana pranon se kohët e fundit nuk ka lexuar aq sa do të donte dhe kjo i ka lënë një shije të hidhur.
“Këtë vit i kam vënë qëllim vetes të lexoj të paktën një libër në muaj se është një nga pengjet e viteve të fundit dhe më vjen shumë keq,” shkruan ajo.
Ajo zbulon se po fokusohet te talentet e reja vendase, duke i cilësuar veprat e tyre si mbresëlënëse.
“Kam lexuar ca libra shumë të mirë këto kohë, të gjithë të shkruar nga autorë të rinj shqiptarë, mbresëlënës,” shprehet moderatorja.
Ky pasion i ri do të reflektohet edhe në projektin e saj të ri televiziv. Arbana njofton se disa prej këtyre autorëve i ka intervistuar tashmë për emisionin “Mirëmbrëma Yje” dhe do t’i zbulojë në episodet në vijim.
Në fund, ajo bën një apel për të gjithë, duke kërkuar që vëmendja të zhvendoset te vlerat e vërteta.
“Ndjej se duhet folur më shumë për librat dhe se letërsia e mirë duhet bërë ‘virale’,” përfundon Arbana