Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vijuar dje turin e takimeve me strukturat demokrate në rrethe dhe është ndalur në Fier. Salianji deklaroi se ndryshimi në Shqipëri mund të vijë vetëm përmes forcimit dhe bashkimit të opozitës. Ai dha mesazhe të forta për bashkim, duke mos kursyer edhe kritikat ndaj lidershipit të PD, Sali Berisha për të cilin tha se nuk është angazhuar për bashkimin e demokratëve. Sipas tij, Berisha po spastron partinë nga kundërshtarët, ndërsa e akuzoi se dështoi ta sjellë opozitën në pushtet.
“Mungesa e garës së brendshme, përjashtimet imagjinare, miqtë e armiqtë imagjinarë nuk duhet ti përkasin më partisë sonë. Shkëputjet e copëzave nuk duhet t’i ndodhin më PD-së. PD nuk është pronë e askusjt, as e imja e kryetarit dhe as e sekretarëve. Sipas retorikës së lidershipit të PD-së, jemi të gjithë bashkë, por kur afrojnë zgjedhjet, lidershipi bunkerizohet, gjithçka bëhet punë e 2-3 vetave.
Mbyllen aty dhe i vendosin listat jo vetëm duke i përjashtuar demokratët, por edhe duke i përjashtuar edhe ata që dalin të parët nëpër gara. Edi Ramës i intereson statuqouja. I intereson që PD të rrijë kështu siç është sot. PD po qëndron në stanjacion, fiks siç e do Edi Rama. E mbyllur në fatalitetin e shpallur nga lidershipi se zgjedhjet nuk fitohen. E papërtërirë dhe e ngrirë”, deklaroi dje Salianji.
Salianji: Nëse dikush ka aftësitë të bashkojë opozitën të propozohet edhe kandidat për kryeministër
Më tej ish-deputeti Ervin Salianji tha nëse dikush ka aftësitë të bashkojë opozitën të propozohet edhe për kryeministër, kushdo qoftë ai. “Tentohet të bëhet bashkimi opozitës duke ulur nëpër tryeza njerëz qesharakë dhe nuk dëgjojnë demokratët. Nëse dikush e bashkon opozitën dhe tregon kredibilitet më të madh se lidershipi i PD , ta propozojmë të jetë kandidat për kryeministër të fitojmë zgjedhjet, kushdo qoftë ai. Se ndërkohë të nderuar miq ju e dini, e keni provuar në qarkun tuaj një prej problematikave që ka PD është përjashtohen demokratët për t’u përfshirë në lista të sigurta, diku të pamerituara, kandidatë nga parti të tjera. Dhe po shkohet përsëri në të njëjtin drejtim”, u shpreh ai.
Po ashtu, ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, është shprehur se një pjesë e kupolës drejtuese të PD-së e duan këtë parti ‘për ta mjelur si lopë’ për interesat e tyre. “Sipas retorikës së lidershipit të PD-së, jemi të gjithë bashkë, por kur afrojnë zgjedhjet, lidershipi bunkerizohet, gjithçka bëhet punë e 2-3 vetave. Mbyllen aty dhe i vendosin listat jo vetëm duke i përjashtuar demokratët, por edhe duke i përjashtuar edhe ata që dalin të parët nëpër gara. Në shumë degë, në Himarë ishte përjashtuar gjithë PD për të imponuar një kryetar dege siç e donte lidershipi.
Tentohet të bëhet bashkimi i opozitës duke ulur nëpër tryeza njerëz qesharakë dhe nuk dëgjojnë demokratët… Nëse dikush e bashkon opozitën dhe tregon kredibilitet më të madh se lidershipi i PD-së, ta propozojmë të jetë kandidat për kryeministër të fitojmë zgjedhjet. Sepse ndryshimi miq, keni të drejtë që kanë frikë, por ndryshimi nuk ndërtohet me frikë, por duke pasur guxim, duke pasur garë dhe duke bashkuar edhe brezin e ri dhe duke e bërë. Ndryshimi miq është thelbësor për të qenë fitues. Është i pashmangshëm dhe nuk e ndal dot askush. Ndryshimi është përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi ne nuk e shmangim as përpara Edi Ramës, as përpara atyre që e duan PD-në ta mjelin si lopë për interesat e tyre. Ne duam një PD që të mos jetë qaramane”, tha mes të tjerash Salianji.
“Paradite thoni tjetër gjë, pasdite tjetër gjë”, Ervin Salianji “këshillon” Berishën për “Territorialen”
Ndërkohë ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ka kërkuar PD-së që të dërgojë përfaqësuesit e vet në Komisionin për Reformën Territoriale për të dhënë aty propozimet e opozitës. “Ne nuk mund të bëjmë paradite të themi një gjë dhe pasdite të themi një gjë tjetër. E mbani mend kur Rama u’a hodhi lidershipit të PD-së për Avokatin e Popullit, u tha që me Ramën nuk ulemi më për reforma. Pastaj thanë për javë me radhë që pjesë e Komisioneve me Ramën nuk marrim më pjesë. Por tani nuk duhet të harrojmë, tani thonë jo jemi pjesë, jo nuk jemi pjesë.
O zotërinj, dilni aty, hajde japim propozimet tona për Reformën Territoriale, hajde të takojmë njerëzit, hajde t’i shtojmë shërbimet dhe bashkitë ashtu siç i kërkojnë dhe qytetarët e qarkut të Fierit, për të shtuar bashkitë jo për t’i pakësuar, sepse ashtu siç u bë Reforma Territoriale për shkak të gabimit të PD, i ka larguar shërbimet nga qytetarët. U bë një reformë elektorale për qëllime politike dhe jo për ti shërbyer ashtu siç duhet të jetë pushteti lokal më pranë qytetarëve, si dhe të nxjerrim listën tonë të bashkive, kompetencat që duhet të kenë bashkitë, propozimin tonë konkret dhe pastaj Edi Rama të bëjë ç’të dojë, ne nuk kemi punë me Edi Ramën”, theksoi ai.
Ish-deputeti Salianji sulmon Ramën për skandalet
Nga ana tjetër, ish-deputeti Salianji deklaroi se Shqipëria ka nevojë për rotacion politik dhe largimin e kryeministrit Rama, duke theksuar se pakënaqësia ndaj qeverisjes ekziston edhe mes socialistëve. Salianji e cilësoi shëndetësinë “mizerabël” dhe tha se: mungojnë mjekët dhe ilaçet, qytetarët nuk marrin shërbim falas siç duhet dhe se janë zbuluar skandale me receta false dhe abuzime me rimbursimet. Ai përmendi raste ku, sipas tij, mjekë kanë lëshuar receta për “1000 pacientë në ditë”, duke i cilësuar si skandale që rrezikojnë jetën e qytetarëve. “Ju falenderoj nga zemra për këtë mikpritjen. Nuk është e lehtë për demokratët në Shqipëri dhe Fier për presionin dhe represionit të qeverisë por edhe rezultatit jo të pritur në zgjedhjet e 11 majit.
Shqipëria ka nevojë për një rotacion politik. E ka të domosdoshme, rotacionin, largimin e Ramës dhe qeverisë. Edhe socialistët janë po njësoj të pakënaqur nga keqqeverisja. Edhe qindra mijëra socialistë të ndershëm e dinë që kjo qeveri duhet të bjerë, se kjo qeveri lufton për një grusht njerëzish. Shohin korrupsionin, qytetet e zbrazur. Projektet që janë kthyer në gropa thithëse korrupsioni. Si rrugët e prokuruar nga 3 herë shkojnë sa buxheti i pensioneve dhe dalin pa pikë turpi na mirëkuptoni. Qukës-Qafë Pllocë riskon jetën e kujtdo që kalon aty.
E patë si u rrëzua Librazhd Prrenjas prej kapaciteteve të ulëta dhe korrupsionit. E patë si po përfundon tunel i Murrizit, pabarazi në tenderë. Shëndetësia mizerabël, e cila duhet të ishte falas. Sot nuk ka mjekë, ilaçe. Te ata që qeverisin nuk ka as njerzillëk. E patë një skandal, si prodhoheshin receta false për ilaçe që rimbursohen 100 herë më shumë. Nuk përmenden me emër personat që riskojnë jetën e qytetarëve. Sepse disa kompani duan të bëjnë disa mln euro. Ishin mjek që bënin receta sikur vizitonin 1000 pacientë në ditë”, nënvizoi dje Salianji.