Nga dita e premte pritet një përkeqësim i ndjeshëm i kushteve atmosferike në Durrës, ku rrebeshet e shiut në disa zona të qarkut parashikohet të jenë me intensitet të lartë.
Sipas parashikimeve meteorologjike për datat 6–10 shkurt 2026, priten reshje të dendura që mund të sjellin probleme, veçanërisht në zonat që kanë pasur probleme me përmbytjet.
Duke pasur parasysh situatat e kaluara, ku reshjet e forta kanë shkaktuar dëme në banesa, biznese dhe infrastrukturë, kërkohet vëmendje e shtuar dhe gatishmëri maksimale nga institucionet përgjegjëse dhe qytetarët.
Apelohet për monitorim të vazhdueshëm në terren, reagim të shpejtë ndaj çdo problematike dhe koordinim mes strukturave për të përballuar çdo emergjencë të mundshme.