Policia e Shkodrës ka blinduar qytetin pas dy tentativave të njëpasnjëshme grabitjeje, duke vënë në lëvizje forca të shumta për kapjen e autorit të dyshuar.
Sipas informacioneve zyrtare, i njëjti shtetas që dyshohet se ka tentuar të grabisë një filial të Posta Shqiptare ka tentuar sërish të kryejë vjedhje, këtë herë në një market të ndodhur në sheshin “Prek Cali”. Ngjarja e fundit është regjistruar rreth orës 19:15, kur autori është futur në market me qëllim grabitjeje, por është përballur me rezistencën e punonjësit të dyqanit.
Gjatë përplasjes fizike mes autorit dhe punonjësit, i dyshuari është detyruar të largohet me shpejtësi nga vendngjarja, pa arritur të marrë asnjë shumë parash. Pas këtij episodi, Policia e Shkodrës ka reaguar menjëherë, duke forcuar ndjeshëm praninë e saj në të gjithë qytetin.
Burime policore bëjnë me dije se janë ngritur postblloqe në akset kryesore dhe dytësore, ndërsa patrulla të shumta po kryejnë kontrolle intensive në zona të ndryshme të Shkodrës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit. Në terren janë angazhuar forca të rendit, patrulla të ndërhyrjes së shpejtë dhe shërbime të policisë kriminale.
Ndërkohë, grupet hetimore, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe po mbledhin prova për të dokumentuar ligjërisht të dyja tentativat e grabitjes, të cilat dyshohet se janë kryer nga i njëjti person.
Policia u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e autorit, ndërsa thekson se operacioni për kapjen e tij vijon pa ndërprerje,