TIRANË- Në Shqipëri burgjet janë të tej mbushura, në raport me shumicën e Europës. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, Shqipëria renditet e katërta në Europë për numrin e të burgosurve për 100 mijë banorë në vitin 2023, me një normë prej 182.
Kjo shifër është dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila ishte 111 të burgosur për 100 mijë banorë. Sipas Eurostat në vitin 2023 ishin 5017 të burgosur në Shqipëri. Eurostat e ka bërë llogaritjen me të dhënat e vjetra të popullsisë prej 2.75 milionë banorë. E përllogaritur nga Monitor, sipas të dhënave të Censit 2023, prej 2.42 milionë banorë, raporti i të burgosurve rritet në 207.
Pas rishikimit, Shqipëria renditet e dyta në Europë pas Turqisë (342 të burgosur për 100 mijë banorë), duke lënë pas Poloninë (203), dhe Hungarisë (187).
Vendi ynë është rekord dhe në rajon, i ndjekur nga Serbia (158), Mali i Zi (166), Maqedonia e Veriut (146). Më pak të burgosur në raport me popullsinë ka në Kosovë, me rreth 100 të burgosur për 100 mijë banorë, sipas World Prison Brief.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, në Bashkimin Europian ishin rreth 499 mijë të burgosur, çka përfaqëson një rritje prej 3.2% krahasuar me vitin pararendës. Kjo përkthehet në 111 të burgosur për çdo 100 mijë banorë, pak më shumë se një vit më parë, kur norma ishte 108.
Në nivel europian, kjo do të thotë se një person ishte në burg për çdo 897 banorë. Megjithëse numri aktual është më i lartë se vitet e fundit, ai mbetet dukshëm më i ulët krahasuar me vitin 2012, kur në BE kishte mbi 550 mijë të burgosur – niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 1993.
Ka dallime të mëdha mes shteteve të BE-së sa i përket normës së të burgosurve për popullsi. Disa vende si Polonia, Hungaria dhe Çekia kanë norma dukshëm më të larta se mesatarja europiane, ndërsa vende të tjera si Finlanda, Holanda dhe Sllovenia raportojnë shifra shumë më të ulëta.
Kështu, Finlanda ka normën më të ulët në Europë me vetëm 53 të burgosur për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Holanda me 66 dhe Sllovenia me 68. Këto shifra pasqyrojnë qartë dallimet e thella në politikat penale, ku disa shtete favorizojnë ndëshkimin përmes burgimit, ndërsa të tjera investojnë në forma alternative si masat me kusht, rehabilitimi apo drejtësia rehabilituese.
Struktura demografike e popullsisë së burgosur në BE mbetet relativisht e qëndrueshme. Në vitin 2023, vetëm 5.4% e të rriturve të burgosur ishin gra, një përqindje që ka mbetur thuajse e pandryshuar që nga viti 2016. Megjithatë, ka dallime të ndjeshme midis vendeve për pjesëmarrjen gjinore, ku disa shtete raportojnë përqindje më të larta të grave në burgje, ndërsa të tjera mbeten në nivele minimale.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është përbërja sipas shtetësisë. Në vitin 2023, një në pesë të burgosur në vendet e BE-së ishte shtetas i huaj në vendin ku ndodhej në burg. Përqindja mesatare e të huajve ishte 20.6%, thuajse e njëjtë me atë të vitit të kaluar. Edhe këtu vërehen dallime të mëdha mes vendeve: disa kanë përqindje shumë të larta të të burgosurve të huaj, ndërsa vende të tjera regjistrojnë një pjesëmarrje pothuajse të papërfillshme.