Zakynthos: Babai, Bedri, djali, Bedri, dhe xhaxhai Spiro, që të tre shqiptarë, qëndrojnë pas vrasjes së noteres 69-vjeçare – Si arritën autoritetet në gjurmët e tyre
E sulmuan gjatë një tentative grabitjeje, noterja 69-vjeçare u gjet e vdekur, e mbuluar nga gjaku, në shkallët e shtëpisë së saj në muajin shkurt të këtij viti
Zakinthos, Greqi – Tre burra me origjinë nga Shqipëria – babai, djali dhe xhaxhai – janë autorët e vrasjes së noteres 69-vjeçare Mariza Papadhatu (foto lart) që u gjet e masakruar në shkallët e shtëpisë së saj në Zakynthos. Ngjarja tronditi gjithë ishullin, pasi viktima ishte pjesëtare e një familjeje të njohur dhe të pasur, si dhe një nga noterët më të njohur të zonës.
Prej muajsh, oficerë të krimeve të rënda kishin udhëtuar drejt ishullit për të mbledhur prova që përfundimisht i çuan te tre autorët shqiptarë, të cilët më pas u arrestuan, raporton noa.al.
Vajza e viktimës, në një prononcim për median greke falënderoi autoritetet për zbardhjen e ngjarjes.
Xhaxhai, çelësi i zbardhjes së krimit
Çelësi i hetimeve ishte xhaxhai, i cili jeton në Nemea. Gjatë marrjes në pyetje, pasi policia dispononte pamje nga kamerat e sigurisë, të dhëna nga telefonat dhe vendndodhja GPS, ai pranoi se çfarë ndodhi atë natë fatale, më 19 shkurt.
Sipas dëshmisë së 50-vjeçarit, ai mbërriti në Zakynthos një ditë përpara ngjarjes, pasi ishte marrë vesh më herët me një ndërtues 54-vjeçar për të kryer një grabitje. Ata kishin diskutuar më parë, kur punonin së bashku në ndërtim, se noterja ishte e pasur dhe mund të ishte objektivi ideal.
Si ndodhi krimi
Dy burrat u transportuan me makinë në vendngjarje nga djali 21-vjeçar i 54-vjeçarit, i cili më pas u largua. Ata prenë gardhin dhe hynë në parkim. Kur mbërriti 69-vjeçarja, me kërcënimin e një thike i morën çelësat e shtëpisë për të hyrë brenda.
“Veshëm kapuçë, maska, doreza dhe i bëmë pritë. E pritëm derisa të kthehej, i sulëm për t’i marrë çelësat. U përpoqa të hapja derën dhe pashë gruan të rrëzuar, e mbuluar me gjak. I thashë 54-vjeçarit të iknim dhe u larguam”, dëshmoi 50-vjeçari.
Noterja u përpoq të rezistonte dhe në atë moment u godit me thikë në kofshën e majtë. Ajo humbi jetën për disa minuta për shkak të gjakderdhjes masive. Të nesërmen në mëngjes, trupi i saj u gjet nga djali i saj, por ishte shumë vonë.
Pas krimit, dy burrat u larguan në këmbë nga vendi i ngjarjes, duke ecur për më shumë se një orë. Më pas kontaktuan djalin 21-vjeçar, i cili u kthye dhe i mori me makinë. Ata kishin hedhur thikën dhe kishin djegur rrobat e përdorura.
Xhaxhai dhe djali akuzojnë babanë (fotot më poshtë)
Sipas dëshmisë së 50-vjeçarit, pas vrasjes, ai ndërpreu çdo kontakt me 54-vjeçarin për të shmangur ndonjë lidhje me ngjarjen. “Nuk folëm për dy muaj, vetëm ndonjë telefonatë e rrallë, për të shmangur çdo lidhje mes nesh”, tha ai.
Gjatë marrjes në pyetje, xhaxhai dhe djali rrëfyen se çfarë ndodhi atë natë dhe të dy e identifikuan babain 54-vjeçar si autorin e goditjes fatale me thikë. Ky i fundit e mohon përfshirjen direkte në vrasje.
Të tre janë çuar para prokurorit, i cili u ka ngritur akuza të rënda. Ata do të paraqiten për të dëshmuar para gjyqtarit hetues. Sipas burimeve të fundit, ende nuk ka një avokat që të ketë pranuar të marrë në mbrojtje ndonjërin prej tyre. /noa.al