Këngëtarja Parashqevi Simaku ka treguar për herë të parë përse ajo qëndroi për katër vjet me radhë në rrugët e Nju Jorkut.
Simaku pohoi se ajo kishte jetuar në vitet para pandemisë një jetë mes famës dhe luksit.
Parashqevia tha se pas pandemisë e pa botën ndryshe. Ajo tregoi se u tmerrua nga ajo që u përjetua në mbarë botën duke theksuar se u duk sikur bota po mbaronte dhe njerëzit po zhdukeshin.
E pyetur se përse qëndroi aq gjatë në rrugë, Parashqevia tha se kjo ishte një zgjedhje e saj.
“Unë kam jetuar mirë dhe kam shijuar plot gjëra të bukura. Më ftonin yje të Hollivudit si Xhim Belushi dhe Sten Dragoti”, tha ajo.
Ndërsa shtoi se në këtë pikë kishte vendosur të bënte një jetë të re, e padetyruar nga askush.
Parashqevia tha se nuk kishte asnjë merak për jetën mondane dhe jeta që bëri në rrugë, ishte dëshirë e saj që e bëri me vullnet të plotë. “Unë e kam jetuar atë jetën fantastike dhe nuk e kisha peng. Po të doja mjaftonte vetëm të bëja një telefonatë dhe mund të merrja çfarë të doja, por nuk kisha nevojë për to”.
E ndalur te largimi nga rruga, Parashqevia tha se ishte e shqetësuar dhe e keqardhur që shqiptarët u stresuar, duke pohuar se ne si shqiptarë “i marrim gjërat shumë seriozisht”.
Ndërsa në intervistë, Parashqevia ishte deri diku kontradiktore dhe konfuze, ajo pohoi edhe se gjatë katër viteve në rrugë, kishte studiuar librat fetarë duke u fokusuar tek Kurani i Madhërishëm, libri i shenjtë i Islamit. /noa.al
Parashqevi Simaku rrëfen në Opinion daljen e parë në skenë: Po dridhesha…
Ikona e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, ka dhënë një rrëfim për gazetarin Blendi Fevziu, i cili ka udhëtuar deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë intervistë.
Pas gjetjes së këngëtares nga një video e kanalit amerikan ABC7NY, ku Simaku merrte ndihma bamirësie, kureshtja rreth saj vetëm është shtuar. Prej muajit dhjetor, ajo nuk është më e pastrehë, nuk fle më jashtë siç shprehej Elvira Tata, apo mbi gurin për të cilin ka rrëfyer Ilirjani.
Vetë Parashqevia shprehet në videon me Fevziun se kjo tashmë është “e shkuar, e harruar.” Sa i përket qëndrimit të saj jashtë, e komenton si “zgjedhje të saj.”
Tejet e kuruar e plot energji, Parashqevi Simaku rrëfeu historinë e saj që nga hapat e parë në muzikë e deri te largimi jashtë vendit.
Herën e parë në skenë, mes emocionesh, e kujton kështu: “Në fillim të dhjetorit 1981, më japin një duet me Hysni Zelën. Një javë para na vjen urdhri që nuk do bëhej festivali se Mehmet Shehu vrau veten.
Ishte një dramë e madhe, se ne në Kavajë nuk ishim politikanë. Ne vetëm Allahun njohim, kështu jam rritur. Dola, për fat të keq ose për fat të mirë, unë duhet të dubloja Irma Libohovën.
Edhe publiku ishte pak i zymtë, me frikë. E duartrokitën këngën e Krajkës, ai ishte gjithmonë modern. Dola e dyta unë, këndova dhe më kthyen dy herë të përshëndetesha.
S’më njihnin fare! Xhaxhi Xhemali, byrazer i babës tim, nusja e tij Antigoneja nga Gjirokastra. Ajo ishte martuar me një fustan me lule dhe më dha fustanin e saj.
Këpucët, më kanë çuar te garderoba e Operës e Baletit dhe kam veshur me gazeta këpucët llustrafinë të Edit Mihalit. Po ecja aty para se të më dilte emri. Vjen Alida Hysku e më tha hë mi mos ki frikë se shumë mirë do dalësh. Unë po dridhesha, në atë kohë edhe Vaçe Zela dridhej, më tregonte Krajka. Irma e pyet Agim Krajkën, i thotë pse s’më the se ajo është këngëtare shumë mirë.”