Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhër SPAK që të hetojë rastin e një punonjësi në burgun e Durrësit.
Top Channel raporton se ndaj efektivit me ininciale G.Kushi, prokuroria qytetit të Durrësit kishte ngritur akuzën e korrupsionit pas denoncimit të një të burgosuri se ai e kishte shantazhuar dhe kërcënuar nëse nuk do t’i jepte një shumë të konsiderueshme parash.
Sipas të njëjtave burime të bëra me dije nga gazetarja Anila Hoxha, i burgosuri i quajtur Marius, njoftoi prokurorinë e qytetit të Durrësit se gardiani e kishte kërcënuar duke i thënë se nëse nuk i jepte shumën prej 3 mijë euro ai do “t’ia nxinte jetën në burg”.
“Do ta nxij jetën këtu në burg, nëse nuk më jep 3 mijë euro”, thuhet se i ka thënë efektivi të burgosur.
Ndërkohë, që pasi e ka paralajmëruar mësohet që i ka lënë një letër të verdhe me shkrim dore numrin e llogarisë, në të cilën familja e të burgosurit duhet të depozitonte shumën.
Menjëherë pas denoncimit të të burgosurit, Prokuroria e Durrësit kreu ekspertizën e shkrimit dhe me dyshimet se shkrimi i përkiste policit ngriti akuzë ndaj tij, dhe pikërisht atë të korrupsionit.
Rezulton se paratë nuk janë paguar, ndërkohë që çështja me komunikimin e akuzës dhe marrjen si të pandehur të policit u dorëzua tek një gjyqtar paraprak i këtij qyteti, i cili ka shpallur moskompetencën me konstatimin se ky hetim dhe gjykimi duhet shqyrtuar nga gjykata antikorrupsion në Tiranë.
Gjyqtari Erjon Çela sipas Anila Hoxhës pasi ka shqyrtuar çështjen ka vendosur që aktet hetimore të rikonsiderohen edhe njëherë nga SPAK, që duhet të bëjë të njëjtat veprime dhe t’ja dorëzojë të pandehur policin.