Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur 28 pedagogë, staf akademik, si edhe biznesmenë, të cilët akuzohen për abuzime me tenderat e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim detyre”. Pas lëshimit të urdhërarresteve, SPAK deklaroi se janë hetuar 9 procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022 me një vlerë të prokurimit prej 90.000.000 (nëntëdhjetë milion) Lekë.
Dosja po bëhet gati nga prokurorët e posaçëm për t’u dërguar për gjykim.
Njoftimi i SPAK:
Nga hetimet proaktive me metoda speciale si; përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), vëzhgimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit të procedurave të prokurimit, me autoritet kontraktor Universiteti Bujqësor i Tiranës, deri në këtë fazë të hetimit janë hetuar në kuadër të këtij procedimi nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të prokurimit prej 90.000.000 (nëntëdhjetë milion) lekë.
Gjate hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, shtetasit; A.Ll, M.Q., A.M., E.S, K.J., A.S., A.B., S.S., I.K., D.L., A. P., A.K., R.Dh., B.S., T.P., E.K., K.L., E.Sh., në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin E.T., të cilët, kanë krijuar kushte dhe favorizuar në shpalljen fitues në këto procedura prokurimi, operatorët ekonomik “Krijon”sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, “Malvina Visoka PF”.
Gjatë hetimit ka rezultuar se të dhënat e përgatitjes së fondit limit, specifikimet teknike apo termat e referencës dhe hartimi i dokumenteve standarde të tenderit janë kryer nga zyrtarët përgjegjës të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me operatorët ekonomik fitues; “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”.
Në të gjitha procedurat e prokurimit të mësipërm, operatorët ekonomik fituesë; “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF” kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, të cilat janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa bërë asnjë studim tregu.
Janë evidentuar raste të zhvillimit të procedurës së prokurimit me operator eknomik të paracaktuar fitues, për pajisje dhe mallra të tjera, që i janë vënë në dispozicion autoritetit kontraktor, disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit (procedura prokurorimi të zhvilluara pas administrimit më parë të këtyre paisjeve, për të cilat më pas janë kryer procedura prokurimi fiktive dhe marrje në dorëzim e tyre)”.