Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij, vajza e presidentit amerikan, Ivanka Trump së bashku me fëmijët e tyre vizituan jugun e Shqipërisë fundjavën që kaloi.
Edhe pse zgjodhën që vizita e tyre të qëndronte larg syrit të mediave, fotografi të Ivankës dhe Kushner qarkulluan në rrjet gjatë vizitës së tyre disa ditë përpara pjesëmarrjes në dasmën të Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez.
Pasi vizituan gjirin e Vlorës me një jaht, ata hëngrën darkë në një restorant në Vlorë.
Ditën e sotme vetë Ivanka Trump ka postuar një fotoalbum me disa prej momenteve të muajit qershor ku nuk mungojnë as fotografitë nga vizita në Shqipëri.
Në foton ku Ivanka Trump ndodhet së bashku me djalin e saj, në sfond duket ishulli i Sazanit, në të cilin është planifikuar investimi turistik nga bashkëshorti i saj Jared Kushner.
Ata janë ndalur pikërisht tek një ekspeditë në ishullin e Sazanit, vend ku pritet edhe të investohet prej tyre, pas vendimit të autoriteteve shqiptare.
Po ashtu, në të njëjtin postim ajo ka shfaqur një foto të zonës së Zvërnecit nga lart, ku po ashtu ka pasur diskutime për një projekt zhvillimor turistik.
Ata kanë konsumuar darkën, kanë bërë foto në perëndimin e diellit në sfond dhe janë larguar sërish me mjet lundrues drejt Venecias ku mbahej dasma madhështore e Jeff Bezos.
“Mirupafshim qershor”, ka shkruar Trump krahas fotove.
Vizita e çiftit vjen në kohën kur mediat ndërkombëtare kanë rikthyer vëmendjen mbi projektin e paralajmëruar nga Kushner për ndërtimin e një resorti ultra-luksoz në ishullin e Sazanit.
Projekti, me një vlerë të parashikuar investimi prej 1.4 miliardë eurosh, synon ndërtimin e një marine turistike, rezidencash elitare, zone gastronomike dhe akomodimi në një sipërfaqe prej 45 hektarësh.
Sazani, ish-bazë ushtarake me 562 hektarë, është nxjerrë tashmë nga përdorimi ushtarak në dhjetor të vitit të kaluar, duke hapur rrugë për zhvillimin turistik të zonës.
View this post on Instagram
A post shared by Ivanka Trump (@ivankatrump)