Theth, 8 korrik 2025 – Aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për prishjen e objekteve pa leje në Theth ka shkaktuar revoltë dhe lot mes banorëve të zonës, të cilët e konsiderojnë këtë një padrejtësi të rëndë dhe shkatërrim të mundit të familjeve të tyre.
Një grua e moshuar, me lot në sy, ka rrëfyer mes dhimbjes se shtëpia ishte ndërtuar me mund dhe djersë, në tokën e trashëguar brez pas brezi, dhe tani po shembet nga shteti pa asnjë zgjidhje alternative.
“Kam rritur 6 fëmijët dhe 2 jetima me bukë e kripë. Nuk është drejtë! Jemi në tokën tonë, që prej 500 vjetësh. Ku do të mbytemi ne me 25 familjarë?”, – u shpreh e përlotur zonja, duke thirrur për ndërgjegje nga autoritetet.
Ndërkohë, një i ri 18-vjeçar, Stiven Koçiu, i cili ishte përfshirë në ndërtimin e një strukture së bashku me babanë e tij, tha se objekti ishte pa beton dhe ndërtuar në tokën e familjes. Për të, kjo situatë është një katastrofë që i ka shuar çdo shpresë për të ardhmen në vend.
“Na ka gjet një katastrofë. Kjo ishte e ardhmja ime, tani s’më mbetet tjetër veç të marr valixhen dhe të iki jashtë vendit,” – u shpreh ai.
Nga ana tjetër, një pronare strukturash druri turistike u shpreh se nuk u është ofruar asnjë zgjidhje, ndërsa turistët janë larguar për shkak të aksionit. Ajo tha se shteti nuk i ka dhënë afat të arsyeshëm dhe se është e pamundur të largosh turistët brenda dy orëve.
“Thonë bëni turizëm, s’të lënë të bësh turizëm. I kemi ndërtuar pa beton, me strukturë druri, me gjak trupi. S’kemi ku t’i çojmë turistët. As ku të kërkojmë të drejtën tonë,” – u ankua ajo.
Banorët i bëjnë thirrje qeverisë që të gjejë një zgjidhje të drejtë dhe humane, pa i shkatërruar investimet që kanë ndërtuar me shumë mund në një prej zonave më të njohura turistike të Shqipërisë.