Kryeministri u dha ultimatum bashkive që deri më 31 tetor të dërgonin hartat e tokave që do “investohen” nëpërmjet “Paketës së Maleve”. 56 kryetarë bashkish refuzuan ta zbatojnë, duke mos firmosur për pazaret që favorizojnë klientët e qeverisë me dhurata prej qindra hektarësh…
Pas grabitjes së bregdetit dhe pronave shtetërore përmes ligjit të “investimeve strategjike”, Edi Rama po shtyn me urgjencë projektin “Paketa e Maleve”, një plan i maskuar si nxitje investimesh për zonat malore, por që në thelb synon tjetërsimin e tokave dhe pyjeve publike e private në favor të një rrethi klientelist.
Urdhri për dorëzimin e hartave të tokave u dha më 23 tetor 2025, ndërsa shumica e bashkive refuzuan të firmosin, nga frika se do të mbeten përgjegjës ligjërisht për këtë aferë.
Kryeministri Edi Rama ka kaluar në fazën e presionit të hapur ndaj kryetarëve të bashkive, për të përshpejtuar projektin e ashtuquajtur “Paketa e Maleve”; që në propagandë shitet si “strategji zhvillimi për zonat malore”, por që në realitet është një skemë e re grabitjeje pronash publike dhe private në emër të investimeve strategjike.
Në takimin e zhvilluar më 23 tetor 2025, Rama u ka lënë kryebashkiakëve afatin e fundit deri më 31 tetor për të dorëzuar hartat e tokave dhe pyjeve që do të përfshihen në projekt, duke paralajmëruar ndëshkime politike për ata që vonojnë.
Por deri në datën e ultimatumit, vetëm 5 bashki; Tropoja, Elbasani, Belshi, Përmeti dhe Skrapari, e kanë zbatuar urdhrin dhe kanë dërguar dokumentet përkatëse.
56 bashki të tjera e kanë shpërfillur, duke refuzuar të firmosin aktet që do t’i bënin përgjegjës për dhënien “falas” të qindra hektarëve në duart e klientëve të qeverisë.
Presion dhe Task-Forca për “ndarjen kolektive të fajit”
Sipas burimeve të “Pamfletit”, në takimin e 23 tetorit, Rama ka folur me tone ultimative:
“Zgjohuni nga ky gjumë dhe mos kini frikë të firmosni. Çdo konflikt apo përgjegjësi do ta marrë përsipër qeveria. Brenda tetorit duhet të dërgoni hartat e tokave që do miratojë qeveria.”
Por refuzimi masiv i bashkive për të dërguar dokumentet ka treguar se frika e përgjegjësisë penale është më e fortë se presioni politik.
Në përpjekje për t’i qetësuar, Rama u ka kërkuar të krijojnë “Task-Forca” lokale, për të ndarë përgjegjësinë në mënyrë “kolektive” mes drejtuesve të bashkive dhe nëpunësve të tyre teknikë, me qëllim që në rast hetimi të mos përgjigjet askush individualisht.
Por edhe ky marifet juridik nuk ka funksionuar, pasi në fund, sipas ligjit, aktet përfundimtare të tjetërsimit të pronave do t’i nënshkruajnë vetë kryebashkiakët, të cilët do të mbajnë përgjegjësi direkte për çdo shkelje ligjore.
“Paketa e Maleve”: grabitja e pasurisë që ka mbetur
“Paketa e Maleve” është skema e re e grabitjes së pasurive shtetërore dhe private, pas asaj që u krye në bregdet dhe mbi ish-pronat e ndërmarrjeve shtetërore e repartet ushtarake.
Ashtu si me ligjin për investimet strategjike, që u përdor për të
privatizuar tokat bregdetare dhe resortet turistike përmes kontratave “1 euro” dhe Korporatës së Investimeve, tani radha ka ardhur te malet, pyjet dhe kullotat.
Sipas dokumenteve të brendshme të qeverisë, që disponon “Pamfleti”, Rama ka përcaktuar paraprakisht emrat e “investitorëve” që do t’i përfitojnë tokat, përfshirë disa oligarkë dhe kompani të huaja që do marrin 10 vjet përjashtim nga taksat dhe pronësi të plotë mbi tokën.
Në shumë raste, këto janë toka private të ndara me ligjin 7501 ose me vendime gjyqësore të formës së prerë, të cilat do të grabiten përmes vendimeve bashkiake të inskenuara si “zhvillim ekonomik”.
Regjistrimet në Kadastër, të bllokuara qëllimisht
Për të lehtësuar procesin, qeveria ka bllokuar regjistrimet në Kadastër, duke penguar pronarët legjitimë të regjistrojnë tapitë e tyre në zonat malore.
Kjo është bërë që toka të konsiderohet “pa pronar të identifikuar” dhe të përfshihet në “Paketën e Maleve” si pronë shtetërore që mund të jepet për investim.
Në thelb, është një formë moderne e eksproprijimit të paligjshëm, ku shteti grabit tokën për ta dhënë më pas klientëve të pushtetit.
Qëllimi politik: para dhe kontroll
Burime nga qeveria pohojnë se Rama po nxit “Paketën e Maleve” për të mbajtur gjallë sistemin e financimit politik dhe për të shpërblyer klientët që e kanë mbështetur financiarisht në fushatat elektorale.
“Paketa e Maleve” është valixhja e re e korrupsionit electoral, një mënyrë për të gjeneruar para të pista në emër të “zhvillimit rajonal” dhe për të ruajtur besnikërinë e rrjetit të tij ekonomik e politik.
“Paketa e Maleve” është projekti i fundit i grabitjes shtetërore në një Shqipëri ku çdo ligj, çdo reformë dhe çdo nismë “zhvillimi” përdoret për të shitur pasuritë kombëtare në tregun e klientëve të pushtetit.
Kryebashkiakët e kanë kuptuar rrezikun dhe po hezitojnë të firmosin, sepse nesër do të jenë ata që do të përgjigjen para SPAK-ut, jo kryeministri që ua kërkon.
Në fund, ashtu si “bregdeti” u shndërrua në mall privat, edhe malet dhe pyjet shqiptare po bëhen monedhë e re politike në duart e Ramës./Pamfleti