Gazetarja Anduena Llabani ka zbuluar detaje të reja lidhur me hetimet që po zhvillohen ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për disa çështje që lidhen me shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.
Sipas Llabanit, ndaj Ballukut janë regjistruar 7 deri në 8 procedime penale, që përfshijnë skema të ndërlikuara kontratash publike dhe rritje fiktive të kostove për buxhetin e shtetit. “Dokumentet e publikuara deri tani janë vetëm maja e ajsbergut”, theksoi ajo.
Një nga hetimet më serioze lidhet me transferimin e mbi 6 milionë eurove në një bankë zvicerane, në emër të Ballukut — çështje që tashmë është bërë pjesë e një hetimi ndërkombëtar. Për këtë rast janë dërguar letërporosi në disa shtete, mes tyre Zvicra dhe Meksika, ku dyshohet se janë kryer transferta të tjera me shuma të mëdha parash.
Llabani përmendi gjithashtu emrin e Klodian Çamit, zyrtar në Drejtorinë e Doganave, si një person kyç në këtë rrjet financiar. Ai, sipas saj, ka pasur komunikime direkte me kryeministrin dhe është përshkruar si “kutia e Pandorës”, që ka garantuar transfertat e parave të bëra në emër të shtetit.
“Kur përfshihet sistemi doganor në lëvizje të tilla fondesh, nuk kemi më të bëjmë me individë të veçuar, por me përfshirje të strukturave shtetërore”, përfundoi gazetarja.