Policia Rrugore e Tiranës njofton se ka vendosur më shumë se 163 gjoba për shoferët të cilët nuk respektojnë radhën e lëvizjes, gjatë orareve të fluksit në kryeqytet, kryesisht në zonën e Unazës së Madhe.
Fokusi i 48 orëve të fundit ka qenë pikërisht mosrespektimi i radhës së lëvizjes (kryesisht daljes) në Unazë së Madhe, por nuk ka munguar as monitorimi për shkelje të tjera, si tejkalim i shpejtësisë, parakalim i gabuar, përdorim i celularit, etj.
Si rezultat i monitorimit në kohë reale, me shërbime të shtuara dhe me mjete bashkëkohore, gjatë 2 ditëve, janë vënë:
-3787 masa administrative, për shkelje të evidentuara në të gjithë qarkun, si: tejkalim i shpejtësisë, parakalim i gabuar, përdorim i celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosje e rripit të sigurimit, mospajisje me dokumentacion të nevojshëm për të lëvizur me automjet, etj;
-163 masa administrative, për drejtuesit që duke mos respektuar radhën e lëvizjes, krijuan kaos në trafik dhe kryen/nxitën manovra të rrezikshme për përdoruesit e rrugës.
Policia Rrugore apelon për zbatim rigoroz të rregullave të qarkullimit, respektim të radhës dhe shmangie të çdo manovre të rrezikshme. Siguria rrugore kërkon kontributin dhe përgjegjshmërinë e të gjithëve.
Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë bën me dije se monitorimi intensiv dhe kontrollet vijojnë pa ndërprerje në të gjitha akset.