Që prej shkurtit të vitit 2023, Veziko Bejko nga fshati Tërbaç i Vlorës humbi kontaktet me familjarët. Bashkëshorti i saj tregoi asokohe se gruaja, pasi piu kafen e drekës, doli nga shtëpia për të mbledhur dru dhe nga ai moment nuk u kthye më. Pavarësisht se kërkimet u zgjeruan për muaj të tërë e më pas për vite, në të gjithë zonën, së bashku me forcat zjarrfikëse dhe policinë, nuk u gjet asnjë gjurmë prej saj. Familjarët atë kohë shprehën se nuk përjashtohej mundësia që ajo të kishte kryer vetëvrasje. Sipas tyre, në familjen me katër anëtarë nuk kishte pasur asnjëherë konflikte.
Më datë 1 tetor, specialistët e Komisariatit të Policisë Himarë referuan materiale në Prokurori për vlerësim, pasi në fshatin Tërbaç, më 01.10.2025, një bari i zonës kishte konstatuar disa mbetje kockore, mes tyre edhe një kafkë të dyshuar njerëzore. Mbetjet u dërguan në Institutin e Policisë Shkencore për ekspertim. Djali i të ndjerës, në një komunikim me emisionin “Me Zemër të Hapur”, në News24 u shpreh se pas këtij njoftimi nisën kërkimet për gjetjen e pjesës tjetër të trupit, të cilin arritën ta gjenin, së bashku me disa sende personale. Ai deklaron se është i bindur se trupi i përket nënës së tij.Nga ana tjetër, në studio ka mbërritur Fatmir Muho, një personazh që pretendon se po akuzohet nga familjarët për vrasjen e gruas dhe kërkon ta bëjë shqetësimin e tij publik. Ai pohoi se akuzat janë në shenjë hakmarrje pasi ai i denoncoi si familje, ndërsa i akuzoi ata për vrasjen e nënës së kryefamiljarit.“Më mori në telefon djali i saj dhe më tha; ku je? Urgjent se ka humbur Vezikoja. Ai më tha se më morën në telefon dhe më njoftuan dhe më shtoi; unë e prisja një gjë të tillë. Të gjithë ishin alarmuar. Nisëm kërkimet. Kur shkuam në një kodër, gjetëm një sëpatë. Erdhi policia, kërkime me dron. I thash policisë që ta sekuestronte sëpatën. Gjetëm një paketë cigareje të hedhur. Njëri nga punonjësit e policisë tha për mua: ‘Ai kush është?’ Para shumë vitesh e kam denoncuar për vrasjen e nënës së tyre, vjehrrës së Vezikos. Nëna e burrit të kësaj u vra. E kam denoncuar, pasi ajo kishte disa ditë te nëna ime dhe thoshte; ata do më vrasin, më kanë thyer brinjët dhe e vranë. Edhe skedën e vdekjes, e akuzuar ishte Vezikoja. Ajo nuk kishte probleme të shëndetit mendor, por kishte atë pjesën e epilepsisë. Ajo u akuzua tërthorazi bashkë me burrin e saj. Skeda e vdekjes dhe shkaqet e vdekjes në lidhje me nënën e plotësoi një infermiere, se nuk ua mbante të shkonin te mjeku. I gjithë skenari se si e sollën të vdekur nga Dhërmiu është e tmerrshme.
Më dilte Policia e Shtetit para. Vjen dhe më thërret polici Artan Bedini: ‘O Fatmir do vish që të shkojmë pak te familja aty’. Ai doli te shtëpia e tyre dhe shihte vërdallë. Më tha: ‘Do shkojmë te rezervuari’. Pashë nga liqeni dhe në atë moment punonjësi i policisë më filmon. Por më erdhi pastaj polici i zonës dhe më thotë: “Shyqyr që ishe në komunë se do të ishe kalbur në burg’. Po nuk doli që këta nuk kanë dorë në ekzekutimin e nënës së tyre, do të vete unë në burg. Edhe 2 ditë para se të gjendej kufoma, erdhi i shoqi dhe tha: ‘Si ka mundësi që u gjet trupi afër shtëpisë time’. Për mua është vrasje e pastër dhe jo vetëvrasje. Kam dhe prova të tjera do t’i jap në prokurori dhe po të dojë ta mbulojë. Mos të bëjnë rolin ata, se ata më kanë akuzuar. Ata kanë shkuar dhe në polici dhe kanë thënë emrin tim.”, tha ai.
Ndërkohë, djali i viktimës në një lidhje telefonike pohoi se Fatmiri do ta pësonte keq nëse vazhdonte të lëshonte akuza të tilla.“Çfarë do Fatmiri aty? Njeriu u gjet dhe kaq u mbyll. Çfarë kërkon zoti Fatmir te ju? Mos bëni gabim, se zoti Fatmir do të përballet shumë keq me ne familjarët. Çfarë të drejte ka zoti Fatmir dhe çfarë problemi ke me këtë punë?! Kështu na e bëri dhe për gjyshen ai. Na e ngriti nga varri gjyshen se thanë e vranë. Por ajo vdiq nga perëndia”-, tha i riu./ News24