Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë cak i një fotomontazhi kundër saj.
Në fotomontazh i shpërndarë nga Nuredin Drenica, shihet presidentja, Vjosa Osmani, pranë Ana Bërnabiqit dhe ministrit të Jashtëm serb, duke ecur pranë qytetarëve dhe aty shihet edhe një fëmijë.
Fotografia ka sjellë reagimin e Presidencës, duke thënë se është imazhi plotësisht fake, një montazh i ndërtuar që synon të krijojë konfuzion te publiku dhe të dëmtojë reputacionin e Presidentes.
“Një fotografi e manipuluar dhe e krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale po qarkullon në rrjete sociale, me qëllim të vetëm, denigrimin e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe ushqimin e narrativave të fabrikuara që u shërbejnë agjendave të huaja.
Kjo pamje është FAKE, një montazh i ndërtuar që të krijojë konfuzion dhe ta dëmtojë figurën e Presidentes Osmani, e cila çdo ditë, me seriozitet, përkushtim dhe integritet institucional, mbron interesat e Kosovës dhe përfaqëson shtetin tonë me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
ImageFotoja e maipuluar dhe foto origjinaleFoto galeri
Presidenca e cilëson publikimin e materialeve të tilla si një akt të ulët dhe të rrezikshëm, duke e lidhur atë me fushata të organizuara për përhapje të dezinformimit dhe përpjekje për të baltosur institucionet e shtetit.
Institucioni i Presidencës i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin masa ndaj përhapësve të këtyre dezinformatave, të cilat paraqesin rrezik për sigurinë publike, stabilitetin dhe institucionet e vendit.
“U bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj këtyre dezinformatave, të cilat jo vetëm cenojnë sigurinë publike, por përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për institucionet dhe për stabilitetin e vendit. Përhapja e dezinformatave të tilla duhet të trajtohet me seriozitet maksimal”, thuhet tutje në reagim.
Profesor, doktor, Enver Bytyçi, thotë se ky është truk provokues nga falangat ruse në Kosovë.
Sipas tij, presidenca bëri mirë që e denoncoi aktin, tani është radha e drejtësisë dhe policisë që të çojë para përgjegjësisë penale falsifikatorët dhe provokatorët anti- shqiptarë.
“Falangat ruse e serbe në Kosovë kanë bërë një truk provokues. Në rrjetet sociale është publikuar një foto e presidentes Osmani duke ecur në mes të kryetares së parlamentit serb, Brnabiq dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq. Sipas paraqitjes së fotos origjinale, në këtë pozicion ka qenë një grua tjetër. Përmes Fotoshop apo Inteligjencies Artificiale është larguar nga fotoja në fjalë gruaja e panjohur dhe në vend të saj është vendosur fotoja e presidentes Vjosa Osmani.
Presidenca bëri mirë që e denoncoi aktin. Është radha e drejtësisë dhe policisë që të çojë para përgjegjësisë penale falsifikatorët dhe provokatorët anti-shqiptarë! Por rasti në fjalë duhet të na bëjë të besojmë se agresioni serbo-rus ndaj Kosovës është në shkallën më të lartë. Kështu nisi edhe lufta në Ukrainë. Duke u përpjekur ta diskreditonin presidentin e saj”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”.
Ai thotë se qëllimi është të dobësohet autoriteti vendimmarrës i presidentes.
Profesori përmend edhe rastin e një avokati serb që flet se BIA serbe ka shpenzuar një milardë euro për rrëzimin e Kurtit dhe pastaj të Osmanit.
“Qëllimi në këtë rast është që të dobësohet autoriteti vendimmarrës i presidentes për të reaguar kundër një agresioni të planifikuar të Serbisë kundër Kosovës. Një avokat i Serbisë flet për një milard euro që BIA serbe ka shpenzuar e shpenzon për ta rrëzuar fillimisht Albin Kurtin e më pas Vjosa Osmanin nga pushteti, për ta destabilizuar Kosovën. Kësaj marrie i janë bashkuar jo pak politikanë, analistë dhe trutharë të asaj Kosove, që ka vuajtur aq shumë prej Serbisë”, pohon profesori.
Në fund, ai shton se është koha e reflektimi dhe ndryshimit të qasjes, duke kërkuar që ky akt të shërbejë si mësim.
“Është koha sa nuk është vonë që gjithkush të reflektojë dhe të ndryshojë qasjen e tij në favor të lirisë, pavarësisë, shtetësisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Ky akt duhet të shërbejë si mësim për të gjithë, për pushtetarët dhe opozitarët, për analistët dhe mediet në përgjithësi. Është koha kur bashkëpunëtorët e Serbisë të kenë frikë të dalin në ekrane televizive e të shesin moral apo te japin këshilla. Kur nuk funksionon pendesa për akte të tilla anti-kombëtare, atëherë duhet që të ngjizet frika!”, përfundon Bytyçi.