Ish-ministri i Bujqësisë në qeverinë “Rama 1”, Etmond Panariti ka folur për një nga çështjet e kufirit detar me Greqinë.
Panariti tha se Shqipëria “duhet të bëjmë kujdes, pasi Greqia mund të kërkojë që ishujt të kenë të njëjtën ekuivalencë me pjesën kontinentale sa i përket matjeve”.
Po ashtu, ish-ministri shprehu rezerva për aftësinë e palës shqiptare në Hagë, teksa tha se ne mund të humbasim në këtë marrëveshje.
“Shqipëria në këtë rast humb sipërfaqe të mëdha ujore. Marrëveshja e mëparshme u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pikërisht për këtë arsye. Bushati, në vitin 2014, arriti një marrëveshje ku Shqipëria rimerrte 40 km katrorë sipërfaqe, por ajo nuk u ratifikua nga Parlamenti grek. Mbeti draft ajo marrëveshje. Tani, duke kaluar paketën e detit në Hagë, rrezikon të humbasë edhe këtë marrëveshje.
Në këndvështrimin tim nuk duhet ta çojmë të plotë çështjen e kufirit me Greqinë në Hagë. Kam rezervat e mia për aftësitë e palës sonë në Hagë, sa i përket përgatitjes me dokumenta për çështjen e kufirit. Kam bindjen se Greqia në Hagë do ngrejë pretentimin që matja të bëhet nga ishujt”, u shpreh Panariti,