Një moment i frikshëm është regjistruar në një bar në Lima të Perusë, ku një këngëtar është goditur nga rryma elektrike gjatë një koncerti live.
Mediat e huaja shkruajnë se është fjala për Carlos Suarez dhe incidenti ndodhi kur ai po kapte mikrofonin për të prezantuar grupin “Mi Major Amigo Scott”.
Në rrjet janë bërë virale menjëherë video të këtij momenti, ku këngëtari shihet duke marrë mikrofonin, por në vend që të flasë, ai fillon të bërtasë nga dhimbja dhe më pas rrëzohet në skenë.
Spektatorët pranë skenës dëgjohen duke bërtitur, ndërsa situata shkaktoi panik mes të pranishmëve.
Falë reagimit të shpejtë të një inxhinieri zëri dhe një muzikanti nga një grup tjetër, të cilët shkëputën menjëherë kabllon e mikrofonit nga priza, jeta e këngëtarit u shpëtua. Suarez u dërgua me urgjencë në spital, ku u trajtua për djegie.
Këngëtari vendosi më pas që të reagonte përmes një video në “Instagram”, duke qetësuar fansat dhe miqtë e tij. Ai tregoi se ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe shpjegoi se goditja elektrike e paralizoi për rreth shtatë sekonda dhe se mikrofoni i ra në qafë, duke i shkaktuar dy djegie të shkallës së parë.
“Ajo që ndodhi mund të kishte pasoja fatale, por për fat të mirë jam mirë. Kam disa djegie në qafë, por nuk kam ndërlikime të tjera shëndetësore,” u shpreh Suarez.
Këngëtari e cilësoi ngjarjen si një përvojë shumë traumatike dhe theksoi se dëshiron që incidente të tilla të mos përsëriten, në mënyrë që asnjë artist tjetër të mos kalojë atë që përjetoi ai.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë teknike në koncertet live dhe rëndësinë e respektimit të standardeve elektrike në skenë