Një tjetër konflikt mes adoleshentësh ka përfunduar me përdorimin e thikës në Kuçovë. Dy të rinj janë përfshirë në një sherr, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një 19-vjeçar, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas njoftimit të Policisë së Beratit, autor i dyshuar i ngjarjes është një i mitur 17 vjeç, banues në Kuçovë. “Gjatë një konflikti për motive të dobëta, ai ka goditur me mjet prerës një shtetas 19 vjeç”, bëhet me dije nga policia, ndërsa materialet janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Kjo ngjarje vjen në një kohë kur në vend janë shënuar disa raste të dhunës mes të rinjve, disa prej tyre me pasoja të rënda. Raste të ngjashme janë raportuar në Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Sarandë, Shkodër dhe Kamëz, duke ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë dhe konfliktet mes adoleshentësh.