Një histori ndryshe dhe mjaft njerëzore ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një emigrant shqiptar që jeton prej vitesh në Itali.
30-vjeçari, me origjinë nga jugu i Shqipërisë, i është drejtuar redaksisë me një kërkesë të veçantë: të njohë një vajzë shqiptare me qëllime serioze, për të ndërtuar një lidhje të qëndrueshme dhe për të krijuar familje.
Në videon e dërguar në redaksi, ai shprehet se për shkak të jetës në emigrim dhe shkëputjes së gjatë nga Shqipëria, i është bërë e vështirë të krijojë njohje me vajza shqiptare, ndaj ka zgjedhur t’i drejtohet JOQ Albania me shpresën se historia e tij do të arrijë te personi i duhur.
“Përshëndetje JOQ! Uroj të jeni mirë në radhë të parë. Jam një djalë nga jugu i Shqipërisë, jetoj në Itali, jam 30-vjeç. Do doja nëpërmjet jush, nëse do ishte e mundur, ta publikonit si rast, të gjeja ndonjë vajzë rreth 30-vjeçe, jo më shumë, maksimumi 30-vjeçe, nga Shqipëria, për të krijuar një lidhje serioze.”
Ajo që bie në sy në mesazhin e tij është thjeshtësia dhe sinqeriteti i kërkesës. Ai thekson se nuk e intereson e kaluara e vajzës, por vetëm ndershmëria dhe dëshira për të ndërtuar diçka të vërtetë nga momenti i njohjes.
“Nga vajza do kërkoja vetëm të ishte e sinqertë. Nuk më intereson e kaluara e saj. Më intereson fakti që nga momenti që do lidhet, të krijojë familje me mua, të jetë e sinqertë.”
Në mesazhin e dërguar në redaksi, 30-vjeçari shton se vjen në Shqipëri vetëm gjatë festave dhe për këtë arsye e ka pasur të vështirë të mbajë lidhje apo njohje me vajza në vend.
Ai ka kërkuar që publikimi të bëhet në mënyrë anonime, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë që numri i kontaktit të jepet nga redaksia nëse ndonjë vajzë është e interesuar.
Një histori që tregon se mes ritmit të emigrimit dhe largësisë nga vendlindja, shumë shqiptarë ende kërkojnë ta ndërtojnë jetën dhe familjen e tyre me dikë nga Shqipëria.