Franca po përgatit një plan gjigant ushtarak me vlerë miliarda euro, duke synuar një rritje drastike të stokut të raketave dhe dronëve deri në vitin 2030, në një lëvizje që tregon se Parisi po përgatitet seriozisht për skenarë të mundshëm konfliktesh në Europë dhe më gjerë.
Sipas draftit të ligjit të ri për planifikimin ushtarak, qeveria franceze do të investojë 8.5 miliardë euro vetëm për dronë dhe municione raketore, ndërsa stoku i dronëve ‘vetëvrasës’ pritet të rritet me 400% deri në fund të dekadës. Po ashtu, bombat e drejtuara AASM Hammer do të shtohen me 240%, ndërsa raketat Aster dhe Mica me rreth 30%.
Ky plan vjen pas mësimeve të nxjerra nga lufta në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme, ku është parë qartë se municionet dhe sistemet ajrore konsumohen me ritme shumë më të shpejta sesa parashikohej. Pikërisht për këtë arsye, autoritetet franceze po flasin tashmë hapur për përgatitje në një “ekonomi lufte”.
Shpenzimet ushtarake të Francës do të rriten ndjeshëm në vitet e ardhshme. Buxheti i mbrojtjes pritet të arrijë 63.3 miliardë euro në 2027, për t’u ngjitur në 76.3 miliardë euro në 2030, një rritje e fortë që pasqyron frikën në rritje në Europë për një përballje të mundshme me Rusinë deri në fund të dekadës.
Interesant është fakti se Franca nuk planifikon zgjerimin e madh të forcave të armatosura apo blerje të reja të avionëve luftarakë Rafale dhe fregatave, por fokusi kryesor është te municionet, mbrojtja ajrore dhe dronët. Nga ana tjetër, Parisi po shqyrton seriozisht zhvillimin e një tanku të ri, që në të ardhmen do të zëvendësojë tankun aktual Leclerc, ndërsa ka sinjale se projekti europian Eurodrone mund të jetë lënë jashtë planeve financiare.
Ky vendim shihet si pjesë e strategjisë së Francës për të mos mbetur e varur nga aleatët dhe për të rritur kapacitetet vendase të prodhimit ushtarak, sidomos në një kohë kur industria europiane e armëve është nën presion për të prodhuar më shpejt dhe në sasi më të mëdha. Kompania europiane MBDA ka njoftuar tashmë se do të rrisë prodhimin e saj me 40% gjatë këtij viti.
Në thelb, Franca po dërgon një mesazh të qartë: Europa duhet të përgatitet për kohë më të vështira dhe për një realitet të ri sigurie.