Shqipëria renditet në fund të Europës për cilësinë e jetës, me varfëri ekstreme, paga minimale dhe mungesë të politikave të punësimit
Shqipëria, në gjysmën e parë të vitit 2025, është radhitur e fundit në Europë për cilësinë e jetës, sipas raportit më të fundit të Numbeo. Ky renditje tregon jo vetëm një krizë ekonomike, por edhe një krizë sociale, ku papunësia dhe standardet e ulëta të jetesës po rrënjosin një varfëri të qëndrueshme dhe të normalizuar.
Indeksi i përpiluar nga Numbeo, që mat kushtet e jetesës përmes komponentëve si fuqia blerëse, cilësia e shëndetësisë, ndotja dhe kostot e jetesës, i ka dhënë Shqipërisë vetëm 104.1 pikë. Nga 37 vende europiane, Shqipëria renditet në vendin e fundit. Në pjesën më të madhe të treguesve, vendi jonë është në fund ose parafund në nivel kontinental.
Fuqia blerëse është treguesi më alarmant, ku Shqipëria vlerësohet me 46.3 pikë, më keq edhe se Ukraina. Ky nivel tregon se paga mesatare nuk përballon as shpenzimet më bazike për jetesën. Edhe pse çmimet e ushqimeve janë të krahasueshme me ato europiane, pagat në vend janë shumë më të ulëta, duke e bërë të papërballueshme jetën për qytetarët.
Kjo situatë është shoqëruar me mungesë totale të politikave për punësim dhe zhvillim ekonomik. Të rinjtë, të papunët dhe profesionistët largohen çdo vit nga vendi në mungesë të alternativave. Ndërkohë, një pjesë e madhe e popullsisë mbijeton në kufijtë e varfërisë, duke u bërë gjithnjë e më e ndjeshme ndaj manipulimit elektoral përmes ndihmave minimale ose premtimeve të pambajtura.
Një tjetër tregues dramatik është raporti çmim të apartamenteve ndaj të ardhurave, ku Shqipëria qëndron më keq në Europë. Për të blerë një banesë, një familjeje shqiptare i duhen mesatarisht 16.3 vite të të ardhurave të saj neto, ndërkohë që në vendet si Belgjika apo Danimarka duhen më pak se 7 vite.
Në indeksin e ndotjes, Shqipëria pozicionohet e parafundit në Europë, duke dëshmuar mungesën e çdo strategjie serioze për mjedisin. Po ashtu, kujdesi shëndetësor vlerësohet si më i dobëti në kontinent. Shërbimet janë të ngadalta, të papërshtatshme dhe shpesh të paarritshme ekonomikisht për shumicën e qytetarëve.
Sistemi shëndetësor i vendit është përshkruar si i pasigurt, joefikas dhe me mungesë besimi. Personeli shëndetësor është shpesh i pakualifikuar, mjetet teknologjike janë të vjetëruara, dhe pacientët përballen me diagnostikim të pasaktë dhe vonesa në trajtim.
Edhe koha e udhëtimit është një tregues i rëndësishëm që rëndon jetën e përditshme. Shqipëria renditet e katërta nga fundi për këtë komponent, duke dëshmuar një infrastrukturë të dobët dhe mungesë të investimeve në transport publik të qëndrueshëm dhe efikas.
Në tërësi, raporti i Numbeo e paraqet Shqipërinë si një vend ku jetesa është e vështirë, rrogat janë të papërballueshme, dhe shërbimet bazë janë larg standardeve minimale europiane. Qytetarët ndihen të braktisur, ndërsa varfëria dhe papunësia kthehen në realitete të zakonshme.
Kjo gjendje ka krijuar një elektorat të lexueshëm, të varur dhe të cenuar, ku mungesa e alternativave e bën votën një instrument të manipulueshëm nga pushteti. Në vend të konkurrencës politike dhe përmirësimit të qeverisjes, krijohet një cikël varësie dhe pranueshmërie, ku qytetari nuk kërkon më përmirësim, por thjesht mbijetesë.
Në kontrast të plotë, vende si Luksemburgu, Holanda apo Finlanda kryesojnë renditjen për cilësinë e jetës falë politikave sociale aktive, pagave të larta, shërbimeve cilësore dhe institucioneve funksionale. Shqipëria, ndërkohë, vazhdon të qëndrojë në vendnumëro, nën hijen e një tranzicioni që s’ka fund.