Skip to content

Aksioni vazhdon edhe natën në Theth. Shkon në 120 numri i objekteve që do të rrafshohen

Pavarësisht orëve të vona, nata është e qetë për Thethin.

Prishja e subjekteve pa leje do të vazhdojë edhe gjatë natës.

Forcat e IKMT-së kanë hapur katër fronte ku po prishin objektet. Aksioni do të vijojë përgjatë gjithë natës për të vazhduar edhe ditën e nesërme.

Ndërkohë harta e objekteve për t’u prishur sa vjen e shtohet. Fillimisht u fol për 40, por tani ky numër ka shkuar në 120 objekte që do rrafshohen.

Një pjesë e strukturave janë të çmontueshme, por në lartësinë e maleve janë vendosur struktura të ndërtuara me gurë dhe me beton.

Në Theth janë vendosur nëntë furgonë policie të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Shqiponjave.

Lëvizja e uniformave blu vjen pas incidentit të rëndë në mesditë ku u hodh molotov.

Fatmirësisht nga ngjarja nuk pati të lënduar apo dëme materiale.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Arqipeshkevia Metropolitane Shkodër-Pult e cila shprehet e “shqetësuar për çfarë po ndodh”.

Ajo i bën thirrje të gjitha palëve që të ruajnë qetësinë, të angazhohen për dialog dhe të respektojnë jetën.

“Dënojmë me vendosmëri të gjitha format e dhunës, nga cilado palë që të vijë ajo. Jemi në krah të të gjithë njerëzve vullnetmirë, të atyre që punojnë me ndershmëri, sakrificë e dinjitet, shpesh në vuajtje dhe në heshtje. Respekti për ligjin dhe drejtësinë është një detyrë thelbësore për të gjithë. Ne besojmë se është themelore ta mbrojmë mjedisin, një dhuratë e çmuar nga Zoti, por në të njëjtën kohë, është gjithashtu e nevojshme të mbrojmë ata që, me punë të palodhur dhe me përkushtim, përpiqen të jetojnë ndershmërisht dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre”, thuhet në deklaratën e Arqipeshkvit Giovanni Peragine.

Published inTë fundit