Në një kohë kur kronikat tona televizive mbushen çdo natë me lajme për të rinj që arrestohen nëpër “shtëpi bari” apo që humbin jetën rrugëve të Europës për “lekun e shpejtë”, kjo video vjen si një dritë shprese, por edhe si një shuplakë e fortë për realitetin tonë.
Ky djalë, emri i të cilit ndoshta nuk do të lakohet kurrë nëpër studio televizive, ka bërë zgjedhjen më të vështirë në Shqipërinë e vitit 2026: Zgjedhjen për të qenë i ndershëm. Ndërkohë që shumë bashkëmoshatarë të tij tundohen nga rruga e shkurtër e krimit dhe drogës, duke ëndërruar makina luksoze që në fakt blihen me çmimin e lirisë ose të jetës, ky i ri ka ngarkuar mbi motorin e tij prodhimet e tokës. Ai nuk ka turp nga balta, nuk ka turp nga pesha e rëndë e preshit, dhe as nga vështrimet e njerëzve që ndoshta e shohin me mëshirë nga xhamat e zinj të makinave të shtrenjta.
Debati i madh që kjo video hap është ai i vullnetit. Sa herë dëgjojmë nëpër kafe: “Këtu nuk jetohet, këtu s’ka punë, rruga e vetme është droga ose gomonia”? Ky djalë është prova e gjallë që puna ekziston për atë që nuk e ka mendjen te “fanti i kuq” apo te mashtrimi. Ai na tregon se turpi nuk është puna: Turp është të rrish parazit në kurriz të prindërve deri në moshën 30-vjeçare. Dinjiteti nuk blihet: Leku i drogës të jep pushtet fallco për pak kohë, leku i preshit të jep gjumë të qetë dhe kokën lart gjithë jetën.
Por ky imazh na lë edhe me një shije të hidhur. Pse duhet që një i ri plot energji të detyrohet të shesë në këtë mënyrë primitive? Ku është mbështetja për prodhuesin vendas? Ndërsa bota flet për teknologji, rinia jonë ende lufton me peshën e thasëve mbi motor.
Megjithatë, përballë zgjedhjes mes “të bërit dëm shoqërisë me drogë” dhe “të shërbyerit me djersë”, ky djalë ka fituar ndaj çdo tundimi të zi.