Rregull i ri për ata shqiptarë që jetojnë në Gjermani dhe duan të rifitojnë shtetësinë shqiptare

Enkeleda Olldashi-Heusinger nuk e mori lehtë vendimin për të hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Edhe pse jetonte prej vitesh në Gjermani dhe e dinte që një pasaportë gjermane do t’ia lehtësonte ndjeshëm jetën – në punë, në udhëtime, në çdo marrëdhënie me shtetin – ndjenja e lidhjes me vendlindjen i mbeti gjithmonë e fortë.

Por gjithçka ndryshoi gjatë një udhëtimi nga Saranda në Korfuz. “Mbaj mend në anijen me tim shoq dhe dy miqtë tanë gjermanë. Të gjithë shtetasit e BE kaluan pa problem. Ndërsa neve shqiptarëve na mbajtën mbi një orë në një vapë të tmerrshme, pa asnjë shpjegim.” Atë ditë ajo vendosi të aplikonte për shtetësinë gjermane – duke lënë pas, me dhimbje, dokumentin shqiptar.

Një dokument që nuk ekzistonte

Gati 20 vjet më vonë, kur Gjermania, falë një ndryshimi në ligjin e shtetësisë në vitin 2024, lejoi mbajtjen e dy shtetësive, Enkeleda Olldashi-Heusinger nuk u mendua dy herë dhe nisi menjëherë aplikimin për shtetësinë shqiptare. Por procesi nuk shkoi siç kishte shpresuar. Aplikimi u bllokua kur ambasada, konkretisht seksioni konsullor në Mynih, i kërkoi një certifikatë lindjeje dhe një certifikatë familjare të lëshuara nga autoritetet gjermane. Një certifikatë lindjeje nga Gjermania mund të ketë kuptim vetëm për ata që kanë lindur në këtë vend, por për ata që kanë lindur në Shqipëri, kjo kërkesë ishte absurde. “Autoritetet gjermane çuditeshin, kur u kërkonim certifikatë lindjeje,” rrëfen Enkeleda.

Origjinali mbetet në Shqipëri

Senati i Berlinit i konfirmoi Deutsche Welles se ekziston një mundësi për të marrë një kopje të certifikatës së lindjes nga autoritetet gjermane, por vetëm nëse qytetari e regjistron vetë në gjendjen civile përmes një procedure të veçantë (“Nachbeurkundung”). Megjithatë, edhe nëse ekziston, Senati i Berlinit dyshon se ky dokument do të njihej nga autoritetet e huaja si certifikatë zyrtare lindjeje. Sipas Senatit, raste të ngjashme janë regjistruar edhe me shtetas të natyralizuar nga Vietnami dhe ish-Jugosllavia.

Shqipëria reagon pas ankesave

Enkeleda Olldashi-Heusinger nuk ishte e vetme. Ashtu si ajo, edhe shumicën e 174 qytetarëve që, sipas Ambasadës shqiptare në Gjermani, kishin paraqitur një kërkesë për rikthimin e shtetësisë shqiptare në Berlin, i preku e njëjta pengesë dokumentare.

Ata iu drejtuan mediave – përfshirë edhe Deutsche Welle – për të kërkuar zgjidhje. Dhe më në fund, në fillim të prillit, qeveria shqiptare ndërmori një ndryshim të rregullores. Tani nuk është më e nevojshme një certifikatë lindjeje nga Gjermania. Mjafton një certifikatë e lëshuar në Shqipëri – dhe ajo mund të merret edhe përmes konsullatës.

Enkeleda e kishte dorëzuar këtë certifikatë që në fillim, së bashku me të gjitha dokumentet e tjera. Ndryshimi në rregullore i hapi asaj rrugën që më parë ishte bllokuar. “Ishte e shpejtë dhe pa probleme,” tregoi ajo. “Këtë herë gjithçka shkoi qetë.”

Një ndryshim i vonuar për shumë aplikantë

Por për disa aplikantë të tjerë, kjo rregullore mund të ketë ardhur shumë vonë. Konkretisht, kjo ka prekur ata që i kishin përgatitur të gjitha dokumentet dhe që nuk morën më takim në ambasadë pas vendosjes së kërkesës së re për dy dokumente shtesë nga Gjermania – certifikatën e lindjes dhe certifikatën familjare. Për ta, ekziston shqetësimi se dokumentet e përgatitura me kosto të konsiderueshme mund të kenë humbur vlefshmërinë për shkak të afatit gjashtëmujor.

Deutsche Welle e ka pyetur Ministrinë e Brendshme në Shqipëri për të mësuar nëse do të zgjatet afati i vlefshmërisë së aplikimeve të bëra para ndryshimit të rregullores. Deri tani, nuk ka ardhur asnjë përgjigje.

Më shumë se një akt simbolik

Për Enkeleda Olldashi-Heusinger, edhe pse procesi ishte i lodhshëm, përpjekja ia vlejti. “Është një akt simbolik për mua,” thotë ajo. “Është vendlindja ime. Kam familje, kam shtëpi atje. Dhe ndoshta një ditë dua të kaloj më shumë kohë në Shqipëri.” Edhe pse tashmë dokumentet e saj janë për shqyrtim te Presidenca, ajo heziton të gëzohet: “Do të gëzohem vërtet vetëm kur ta kem pasaportën shqiptare në dorë.”

Enkeleda Olldashi-Heusinger prej vitesh ndërmjetëson mes kulturave, dhe u mëson turistëve gjermanë valle popullore shqiptare, në qytetin e saj të lindjes Berat. “Nëse do të marr me të vërtetë shtetësinë shqiptare sërish, do ta festoj me grupin e radhës të turistëve në kalanë e Beratit – me një valle popullore. Dhe i gjithë grupi do të më bashkohet”, thotë ajo./DW

Related Posts

“Balluku, çështje e mbyllur”, Berisha pas deklaratas së Ramës: Më 22 mars i japim përgjigje përfundimtare

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ditën e sotme me një videomesazh ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po mbron me çdo…

Ja pse barijntë nuk lindin fëmijë/ Mjeku shpjegon fenomenin e veçantë në Kukës

Gjinekologu Zyhdi Eshja ishte i ftuar në emisionin “Epiqendër” ku në fjalën e tij ai shpjegoi një fenomen të çuditshëm në Kukës që barijntë nuk bënin fëmijë….

Pasi humbi babanë, rrezikon t’i ikë dhe shtëpia. Burri dh*nohet nga 3 persona në Durrës për borxhin e dyshuar 15 mijë euro

Pas humbjes së babait, përballet me një tjetër goditje: tension në Durrës për një borxh të dyshuar prej 15 mijë eurosh Drejtoria Vendore e Policisë Durrës po…

Si armët lazer janë kthyer në ‘tmerrin’ e dronëve

Përdorimi i armëve lazer në mbrojtjen ajrore po kalon nga faza eksperimentale në përdorim praktik, veçanërisht për neutralizimin e dronëve. Këto sisteme konsiderohen nga ekspertët si një…

HOROSKOPI JAVOR (16-22 mars 2026): Parashikimi dhe Renditja e shenjave sipas FATIT

Renditja e shenjave më me fat të javës nga 16 deri më 22 mars 2026: këto janë ditët e fundit të Mërkurit në lëvizje retrograde, gjë që…

I riu nga Sanxhaku dëshmon se ka rrënjë shqiptare, kush është Tahir Zahitoviq?

Aktivistja dhe veprimtarja e re Armina Nuraj nga Sanxhaku, gjegjësisht Pazari i Ri(Novi Pazari) ka intervistuar një të ri nga ky rajon që deklarohet dhe dëshmon se…