Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një nga gjimnazet e qytetit të Elbasanit, ku një mësuese është ofenduar publikisht nga një prind nxënësi.
Sipas informacioneve zyrtare, shtetasja A. K., 56 vjeçe, mësuese me përvojë në arsimin parauniversitar, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë së Elbasanit se është fyer dhe denigruar verbalish nga P. B., 67 vjeç, i cili është prind i një prej nxënësve të saj. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur brenda ambienteve të shkollës, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me vlerësimin e fëmijës së tij.
Pas kallëzimit të bërë nga mësuesja, policia ka referuar menjëherë materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ku ka nisur procedimi penal për prindin P. B., i cili do të përballet me akuzën e fyerjes për shkak të detyrës, e parashikuar nga Kodi Penal.