Një incident i rëndë ndodhi gjatë një përballje të MMA në “MBW Park” në Mynih të Gjermanisë, ku sportisti shqiptar Arijan Topallaj humbi ndjenjat gjatë ndeshjes me sportistin irlandez Denis Frimpong.
Frimpong dominoi sfidën dhe e mbylli ndeshjen me një nokaut teknik në raundin e tretë, në sekondën e 44-të. Pamjet tregojnë momentin kur Topallaj nxirret nga kafazi me barrelë, pasi kishte pësuar rreth 100 goditje, ndërsa kishte arritur të jepte vetëm 53.
Irlandezi, i përkrahur nga publiku dhe duke përfituar nga lodhja e kundërshtarit, mori kontrollin e ndeshjes dhe e cilësoi këtë si një fitore të madhe, duke shpërthyer në lot pas triumfit. Në deklaratën e tij emocionuese, ai tha se po pret lindjen e djalit të tij javën e ardhshme.
Ndërkohë, Topallaj 26-vjeç, u dërgua menjëherë në spital për kontrolle mjekësore. Fatmirësisht, gjendja e tij raportohet të jetë e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.