Një rast shqetësues ka ndodhur në zonën e Torinos, Itali, ku një adoleshent është shtruar në spital pasi ka përjetuar një krizë të rëndë abstinence, jo nga droga apo alkooli, por… nga mungesa e telefonit.
Sipas “Corriere della Sera”, i riu u paraqit në urgjencën e spitalit San Luigi në Orbassano në një gjendje të rëndë shqetësimi psikofizik. Prindërit, të lodhur nga përdorimi i tepërt i celularit, ia kishin marrë përkohësisht, gjë që shkaktoi te ai një reagim të dhunshëm, të ngjashëm me krizën që kalojnë të varurit nga substancat narkotike.
“Kur mbërriti në urgjencë, kishte të njëjtat simptoma si një person në krizë abstinence nga substancat,” – shpjegon profesor Gianluca Rosso, psikiatër në Universitetin e Torinos. “Përdorimi i smartphone-it stimulon sistemin dopaminergjik në tru në mënyrë të vazhdueshme, njësoj si droga apo alkooli, dhe truri krijon varësi ndaj këtij stimulimi.”
Adoleshenti u trajtua me qetësues të fortë intravenoz dhe më pas, pasi kaloi kriza, u dërgua në shtëpi. Mjekët theksojnë se trajtimi i varësisë nga teknologjia si problem më vete është ende në duart e shërbimeve të specializuara për varësitë (SerD) dhe nuk përfshihet ende drejtpërdrejt në trajtimin psikiatrik emergjent.
Ky rast ngre alarmin për ndikimin e fortë psikologjik që mund të ketë përdorimi i tepruar i pajisjeve inteligjente te të rinjtë.