Skip to content

Tension në Theth – IKMT nis prishjen e ndërtimeve të familjes Koçeku, familjarët dalin para fadromave

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur sot aksionin për shembjen e disa ndërtimeve pa leje në pronësi të familjes Koçeku, të njohur në zonë për lidhjen me të ashtuquajturën “kulla e ngujimit”.

Situata është tensionuar kur një anëtar i familjes, person me aftësi ndryshe, është shtrirë përpara fadromës për të penguar prishjen. Ai ka deklaruar se familja ndodhet në kushte të vështira ekonomike dhe e ka humbur kuptimin e jetës nëse i shemben ndërtesat. “Jemi të zhytur në borxhe, nuk kemi ku të shkojmë,” është shprehur ai.

IKMT nga ana e saj ka sqaruar se banorët janë njoftuar paraprakisht dhe se ndërtesat janë të paligjshme, të ndërtuara pa leje ndërtimi.

Në vendngjarje ndodhen forca policie, mjete të rënda të IKMT-së dhe anëtarë të familjes, që vijojnë të kundërshtojnë me protesta dhe rezistencë fizike ndërhyrjen e autoriteteve.

Aksioni i IKMT është pjesë e një fushate më të gjerë për lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme në zona të mbrojtura ose me interes turistik.

 

Published inTë fundit