Mes tensioneve dhe pakënaqësive të banorëve për shkak të prishjes së ndërtimeve pa leje, në oborrin e Kishës së Thethit është rikthyer një nga format më autentike të vetëqeverisjes në Malësinë e Veriut – Kuvendi i Burrave të Shalës.
Si në kohët e dikurshme, pleqtë e fshatit u mblodhën këtë të diel për të shqyrtuar situatën alarmante që po kalon zona, nën praninë e meshtarit lokal, Dom Kastriot Demaj. Takimi vjen në kulmin e aksionit të IKMT-së, i cili ka përfshirë shembjen e dhjetëra objekteve, kryesisht bujtina të ndërtuara pa leje, që sipas banorëve përfaqësojnë mundin dhe të ardhmen e tyre ekonomike.
Në përfundim të kuvendit, banorët u shprehën njëzëri në mbështetje të ndalimit të menjëhershëm të aksionit të prishjeve dhe kërkuan shtyrjen e çdo veprimi që cenon jetën dhe pasurinë e banorëve autoktonë. Ata i bënë thirrje qeverisë që të ulët në tryezë me komunitetin për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme dhe të qëndrueshme, që të mbrojë njëkohësisht ligjin, trashëgiminë kulturore dhe të drejtën zakonore të malësorëve.
“Pa pëlqimin e komunitetit, asnjë investitor i huaj nuk do të mund të gëzojë kurrë qoftë edhe një centimetër tokë”, u shprehën burrat e kuvendit, duke përcjellë një mesazh të qartë për autoritetet.
Gjatë së dielës, në Kishën e Thethit u mbajt edhe mesha tradicionale, ku Dom Kastriot Demaj përcolli një mesazh paqeje, reflektimi dhe bashkëpunimi për të gjithë aktorët e përfshirë – banorët, qeverinë dhe institucionet ligjzbatuese.
Kuvendi i Burrave, siç njihet në traditën e Malësisë së Veriut, është një institucion shekullor i vetëqeverisjes dhe drejtësisë tradicionale që funksionon sipas normave të Kanunit të Lekë Dukagjinit, duke vendosur për drejtësinë, pajtimin dhe fatet kolektive në bazë të fjalës së dhënë, besës dhe nderit.
Rikthimi i këtij institucioni në Theth në një moment delikat për komunitetin tregon jo vetëm forcën e traditës, por edhe thirrjen për dialog dhe mirëkuptim, përtej fadromave dhe urdhrave administrative.
Në ditën e 7-të të aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth, fadromat kanë vijuar punën nën mbështetjen e forcave të rendit. Deri më tani, janë prishur rreth 70 objekte, kryesisht bujtina, që sipas autoriteteve janë ngritur në kundërshtim me ligjin dhe pa leje ndërtimi.