SHBA- Një fluturim i kompanisë SkyWest me destinacion Detroit u detyrua të bëjë një ulje emergjente të enjten në mbrëmje, pasi një pasagjer u bë agresiv dhe tentoi të hapte derën e avionit gjatë fluturimit.
Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), fluturimi SkyWest 3612 u ul në Cedar Rapids pasi ekuipazhi raportoi një “prishje të rendit nga një pasagjer”.
Në momentin e uljes, autoritetet arrestuan Mario Nikprelajn, 23 vjeç, me profesion kuzhinier. Në bord ndodheshin gjithsej 67 pasagjerë.
Fluturimi kishte nisur nga Omaha në orën 17:30 me orën lokale dhe bëri ulje në Aeroportin e Iowa-s Lindore rreth një orë më vonë.
Gjatë udhëtimit, piloti i raportoi kontrollit të trafikut ajror se “pasagjeri është aktualisht në konflikt fizik me një anëtar të ekuipazhit dhe po përpiqet të hapë derën e emergjencës.”
Sipas një deklarate të Policisë së Cedar Rapids, Nikprelaj përballet me akuza për prishje të rendit, sulm, posedim të paligjshëm të ilaçeve me recetë, shkelje të taksave për substanca të kontrolluara dhe ngacmim në shkallën e parë. Policia po shqyrton ngritjen e akuzave të tjera ndaj tij.
Në rrjetet sociale është shpërndarë një video ku shihet Nikprelaj teksa shoqërohet jashtë avionit nga disa oficerë policie. Një prej pasagjerëve, J. Spencer, shkroi në platformën X: “U desh të devijonim në Cedar Rapids sepse ky njeri vendosi të hapte derën e emergjencës dhe më pas u përlesh me ekuipazhin dhe pasagjerë të tjerë.”
Sipas tij, Nikprelaj u tregua i dhunshëm verbalisht që nga momenti i nisjes së pasagjerëve në avion. I ulur pranë derës së emergjencës, ai “injoroi urdhrat e përsëritura të stjuardesës dhe u bë agresiv me fjalë.”
“Ndërsa avioni po hynte në pistë për ngritje, ai u çua në këmbë dhe hoqi rripin e sigurimit. Ekuipazhi ndërhyri sërish,” shtoi Spencer. Më pas, Nikprelaj filloi të përdorte butonin e thirrjes pa pushim dhe të bërtiste, çka çoi kapitenin të shpallte gjendje emergjente dhe të devijonte fluturimin drejt Cedar Rapids.
Ky nuk është kontakti i parë i Nikprelaj me ligjin. Në shkurt të vitit 2020, kur ishte 18 vjeç, ai u akuzua për sulm ndaj të dashurës së tij në zonën e Detroit-it dhe më pas për vjedhjen e një borëpastrueseje që ishte në punë.
Ai u arrestua shpejt pasi mjeti ishte i pajisur me sistem GPS, raportoi Click on Detroit.