Skip to content

U aksidentua teksa kalonte rrugën, humb jetën pas disa ditësh në spital, 24-vjeçari

Malishevë, 22 Korrik 2025 – Shkodran Morina, 24 vjeç, ka ndërruar jetë tragjikisht pas disa ditësh luftë për jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas një aksidenti të rëndë. Ngjarja e fatkeqe ndodhi më 15 korrik 2025, në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.

Sipas raportimeve të Policisë së Kosovës, Morina u godit nga një automjet teksa po kalonte rrugën në vijat e bardha. Pas aksidentit, ai u dërgua menjëherë për trajtim mjekësor në spital, por përkundër përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, konfirmoi ngjarjen dhe shtoi se për vdekjen e viktimës është njoftuar prokurori i shtetit. Ai gjithashtu theksoi se po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

“Më datë 15.07.2025, në rrugën ‘Ibrahim Mazreku’ në Malishevë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku një këmbësor (mashkull i moshës madhore) ishte goditur nga një veturë. Pas aksidentit, i lënduari ishte dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Sot jemi njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë. Për vdekjen e viktimës është njoftuar edhe prokurori i shtetit”, tha Elezaj.

Kjo tragjedi ka tronditur familjen dhe komunitetin e Malishevës, ndërsa autoritetet janë duke punuar për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij aksidenti.

Published inTë fundit