Prokuroria e Posacme priti që ti mbaronte mandati i deputetes, Klotilda Bushkës që ti komunikonte akuzë për dosjen Veliaj.
Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
SPAK njoftoi disa muaj më parë se po kryente hetime ndaj deputetes së PS, Klotilda Bushka, pikërisht për këtë çështje.
Çfarë përmban dosja e SPAK?
Hetimi për Veliajn, SPAK merr të pandehur edhe deputeten e PS,
Në dokumentet e siguruara nga hetuesit, theksohet se veprimet e dyshuara të Bushkës janë kryer në dhjetor 2024 dhe janar 2025, përmes kontakteve direkte me dëshmitarë kyç në këtë çështje.
Një nga dëshmitaret, Ina Goxhaj, e cila ishte vendosur formalisht në krye të kompanisë “BYL-A”, ka treguar në hetime se kontrolli real i kompanisë ishte në duart e Bushkës dhe më pas kaloi te Ajola Xoxa.
Goxhaj, e cila u amnistua pas bashkëpunimit me hetuesit, deklaroi se:
Është takuar disa herë me Bushkën dhe Ajola Xoxën, si dhe me avokatë të tjerë, të cilët e kanë udhëzuar që të mohojë çdo lidhje me kompaninë dhe të fshehë faktet. Në një takim të zhvilluar në shtëpinë e prindërve të Bushkës, kjo e fundit i ka kërkuar që “të mohonte gjithçka” gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit. Një çështje e ndjeshme ishte edhe adresa e “BYL-A”, e cila sipas dëshmisë, nuk duhej të identifikohej si banesa e Bushkës. Kontroll i telefonit dhe “dhuratë” për të fshirë gjurmët.
Sipas dëshmisë së Goxhajt, në një takim të dytë në një zyrë avokatie, Ajola Xoxa i kërkoi që të dorëzonte telefonin personal (Samsung A35) dhe kontrolloi komunikimet e saj. Më pas, Xoxa i ka dorëzuar një iPhone 12 të ri, duke i thënë se telefoni i vjetër do të “asgjësohej”.
Ky veprim, sipas SPAK, përbën një përpjekje të qartë për të penguar hetimin përmes manipulimit dhe zhdukjes së provave.
Gjatë një seance dëgjimore në SPAK më 24 shkurt 2025, Klotilda Bushka i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me ndërhyrje në hetime apo me kompaninë në fjalë.
Pavarësisht kësaj, SPAK ka vendosur të vijojë ndjekjen penale ndaj saj për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, në bazë të nenit përkatës të Kodit Penal.
Çfarë pritet më tej?
Dosja pritet të kalojë në një fazë të re, ku do të mblidhen prova të tjera, përfshirë mesazhe, biseda, dhe dokumentacion që mund të provojë përfshirjen e Bushkës dhe personave të tjerë në këtë veprimtari.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur SPAK është nën presion për të çuar përpara hetimet e profilit të lartë dhe për të dëshmuar integritet në luftën kundër korrupsionit dhe ndërhyrjes politike në drejtësi.