4 Gusht 2025 – Djali i një shoferi kamioni dhe i një amviseje shqiptare, Eriseld Zeneli, është sot një nga punonjësit e Parlamentit Europian në Luksemburg. Historia e tij është shembull i përpjekjes, sakrificës dhe vullnetit për të kapërcyer paragjykimet dhe kufizimet që shpesh i vihen një emigranti.
Zeneli, sot 33 vjeç, mbërriti në Itali në moshë shumë të vogël, pasi familja e tij u largua nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë. U rrit në Savigno pranë Bolonjës, ku kreu shkollën dhe më pas punoi për vite si konduktor treni në linjën Frecciarossa të Trenitalia-s.
Edhe pse u përball me vështirësi ekonomike dhe paragjykime për shkak të origjinës, ai nuk hoqi dorë nga arsimi. Pasi kurseu para vetë, kreu studimet në Shkencat e Edukimit dhe më pas përfundoi një Master në Psikologji Organizative me rezultate të shkëlqyera.
Në vitin 2022 aplikoi për një praktikë në Parlamentin Europian dhe që prej atëherë është pjesë e administratës në Luksemburg. “Unë jam djali i një shoferi që erdhi me varkë dhe i një amviseje. Jam këtu falë përpjekjes dhe nuk kam ndjerë më barrën e të qenit i huaj,” – thotë Zeneli.
Postimi i tij në rrjetet sociale, ku tregon rrugëtimin nga fëmijëria në Shqipëri deri tek puna në një nga institucionet më të rëndësishme të Europës, po bën xhiron e mediave. Ai inkurajon të rinjtë të mos dorëzohen: “Italia është një vend i mirë për t’u formuar, por jo për të qëndruar. Jashtë vendit gjykohem për atë që bëj, jo për mbiemrin apo prejardhjen.”
Zeneli thotë se do të donte të takonte Kryetarin e Bashkisë së Bolonjës për t’i treguar historinë e tij – jo për protagonizëm, por për të treguar se edhe një i huaj mund të japë kontribut dhe të nderojë vendin ku është rritur.