Detaje të reja kanë dalë pas ekzekutimit të Frrok Lleshajt, ngjarje që tronditi mbrëmjen e sotme zonën e Paçramit në Vaun e Dejës. 65-vjeçari rezulton të ketë pasur një të shkuar të errët dhe të ndërlikuar me drejtësinë.
Frrok Lleshaj kishte shërbyer si efektiv policie në fillim të viteve ’90, por jeta e tij mori një kthesë drastike pas një vrasjeje që kishte kryer afro 30 vite më parë.
Në vitin 1995, Frrok Lleshaj u arrestua si i dyshuar për vrasjen e kushëririt të tij, Dodë Lleshaj. Gjatë trazirave të vitit 1997 ai arriti të arratisej nga burgu, por u arrestua sërish në vitin 2006 dhe u dënua me 25 vite heqje lirie. Megjithëse nuk e pranoi kurrë autorësinë e krimit, ai përfundoi dënimin dhe fitoi lirinë dy vite më parë, më 16 mars 2023.
Pavarësisht të shkuarës së tij penale, Frrok Lleshaj ishte kthyer për të jetuar në zonë, ku mbrëmjen e sotme ai u qëllua për vdekje me armë zjarri të tipit pistoletë pranë banesës së tij.
Pista kryesore që po heton policia është ajo e gjakmarrjes, por hetuesit nuk përjashtojnë as pista të tjera që mund të kenë lidhje me të shkuarën e tij.
Njoftimi i policisë për ngjarjen e sotme:
Rreth orës 21:00, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi F. Ll., 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.