Një tërmet me magnitudë 6.1 ka goditur të dielën qytetin Sindiri në provincën Balikesir të Turqisë perëndimore, duke shkaktuar shembjen e të paktën 10 ndërtesave. Kryebashkiaku i qytetit, Serkan Sak, tha se gjashtë persona mbetën nën rrënoja; katër prej tyre u shpëtuan, ndërsa dy të tjerë janë ende të bllokuar.
Dridhjet zgjatën rreth 30 sekonda dhe u ndjenë edhe në Stamboll.
Një video e publikuar nga mediat vendase tregon momentin kur një vajzë futet poshtë një tavoline për t’u mbrojtur. Pak çaste më pas, një dollap i madh bie mbi tavolinë.
Pamjet po shihen gjerësisht në rrjet dhe përdoren si shembull i rëndësisë së reagimit të shpejtë gjatë tërmeteve.