Qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale kanë kërkuar të ndikojnë te mediat në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente…
Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, ndërsa theksohet se në vendet e Ballkanit Perëndimor janë të kufizuara liria e shprehjes dhe liria së medias.
Referuar Shqipërisë, DASH thekson se Qeveria, partitë politike dhe grupet kriminale kanë përdorur lidhje të drejtpërdrejta me pronarët e medias dhe redaktorët e lartë për të ndikuar në përmbajtjen e raportimit.
Në këtë mënyrë, SHBA i jep një ‘shuplakë’ Kryeministrit Edi Rama, por edhe politikës në tërësi, mbi ndikimin që kanë në mediat, duke kufizuar liritë e tyre.
Kritikat dhe evidentimet në raporti e fundit të DASH janë nga më të ashprat përsa i takon Shqipërisë, në lidhje me lirinë e medias dhe atë të shprehjes.
Referuar raportit të DASH, evidentohet shantazhimi dhe kërcënimi i gazetarëve, apo njollosja e tyre publikisht, pas raportimeve mbi korrupsionin e supozuar të Qeverisë.
DASH thekson se organizatat e pavarura mediatike dhe gazetarët profesionistë kanë pohuar se Qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale kanë kërkuar të ndikojnë te mediat në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente.
“Ka pasur raportime të besueshme se përfaqësues të lartë të mediave kanë përdorur platformat e tyre për të shantazhuar biznese, duke kërcënuar me raportim negativ. Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kanë kufizuar pavarësinë e mediave të shkruara, ndërsa raportohet se gazetarët kanë ushtruar vetëcensurë”, theksohet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit.
Gjithashtu, DASH evidenton se “mungesa e kontratave të zbatueshme të punës ka ulur pavarësinë e gazetarëve dhe ka kontribuar në njëanshmërinë e raportimit”.
“Interesat politike dhe të biznesit kanë ushtruar presion mbi gazetarët. Disa gazetarë kanë raportuar se kanë marrë mesazhe kërcënuese ose janë bërë objekt i fushatave publike të njollosjes pas raportimeve mbi korrupsionin apo keqpërdorimet e supozuara të Qeverisë”, theksohet në raportin e DASH.
Në vijim theksohet se “në muajin mars, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka denoncuar publikisht kryeministrin për përdorimin e një gjuhe frikësuese ndaj një gazetari që po hetonte investimet në turizëm në vend”.
Raporti vë në dukje se “gazetarët shpesh kanë ushtruar vetëcensurë për të shmangur dhunën, ngacmimin apo për të ruajtur vendin e punës. Qeveria, partitë politike dhe grupet kriminale kanë përdorur lidhjet e drejtpërdrejta me pronarët e mediave dhe redaktorët e lartë për të ndikuar në përmbajtjen e raportimit”, thekson raporti.