Dokumente të klasifikuara me simbole të Departamentit të Shtetit, të gjetura të premten në mëngjes në një hotel në Alaska, kanë zbuluar detaje të panjohura në lidhje me samitin e 15 gushtit midis presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.
Dokumentet që dyshohet se janë lënë pas aksidentalisht, përmbajnë të dhëna të ndjeshme si oraret dhe vendndodhjet e takimeve, si dhe numrat e kontaktit të zyrtarëve amerikanë.
Dokumentet u gjetën rreth orës 9 të mëngjesit në printerin e qendrës së biznesit në një hotel me katër yje i vendosur rreth 20 minuta larg bazës ku u zhvillua samiti.
Faqja e parë e dokumenteve përshkruan me detaje renditjen e takimeve të 15 gushtit, përfshirë emrat e dhomave specifike brenda bazës ku do të zhvilloheshin takimet.
Menyja
Dokumentet që qarkulluan në Samitin e Alaskës mes delegacionit amerikan dhe atij rus përfshinin edhe një broshurë 7-faqëshe me detaje mbi axhendën, menunë e drekës së përbashkët që do të konsumonin të dy presidentët e stafet e tyre dhe dhuratën e Presidentit Trump për shefin e Kremlinit.
Dokumenti është hartuar nga Zyra e Shefit të Protokollit të Shtëpisë së Bardhë.
Dreka, që ishte parashikuar të konsumohej në Bazën e Bashkuar “Elmendorf-Richardson” në Ankorazh, ku u zhvillua edhe takimi Trump-Putin, do të jepej për nder të Presidentit të Rusisë. Ajo u anulua pas konferencës së shtypit dhe delegacionet u larguan nga Alaska.
Broshura Në menu parashikohej që dreka do të niste me sallatë jeshile, shoqëruar me një përzierje të shampanjës, mustardës, mjaltit dhe kripës. Më pas ishte parashikuar të shërbehej fileto viçi, me një salcë me piper të zi dhe konjak. Filetoja do të shoqërohej me një gatim tradicional të Alaskës, një gjuhëz të grirë dhe të skuqur me qepë, verë të bardhë e gjalpë dhe të shërbyer me patate dhe asparagë të pjekur.
Dreka do të mbyllej me ëmbëlsirën e famshme “creme brulee” (krem bryle – krem me sheqer të djegur), ndërsa broshura nuk ka asnjë të dhënë për pijet që do të konsumoheshin.
Dhuratat
Të dy protokollet kanë shkëmbyer edhe dhuratat përkatëse. Shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka dhuruar homologut të tij statujën e një shqiponje, simbol i stemës zyrtare të SHBA, për ta vendosur në tryezën e punës në Kremlin.
Zëvendëssekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Ana Kelli, i minimizoi dokumentet duke i quajtur ato “një menu dreke me shumë faqe”, duke shtuar se nuk bëhej fjalë për ndonjë shkelje serioze të sigurisë.
Ndërkohë, Xhon Majkëlls, profesor i së drejtës dhe ekspert i çështjeve të sigurisë kombëtare, e konsideroi incidentin “si një provë e mëtejshme e pakujdesisë dhe paaftësisë së administratës”.