Një konflikt për motive pronësie ka nisur të ‘lulëzojë’ në zonën e ish-Sanatoriumit në Tiranë, ku dy familje të ndryshme kanë blerë tokë nga një pronar i vetëm dhe kanë ndërtuar shtëpitë e tyre.
Toka është blerë 20 vite më parë, dhe ish-pronari ka lënë një rrugëkalimi të përbashkët për të dyja familjet. Por së fundmi njëri prej pronarëve të rinj ka bërë disa investime, duke e shtruar rrugën me beton dhe vendosur aty një portë hekuri.
Kjo gjë ka irrituar pronarin tjetër të tokës, Fadil Hyka, i cili tregon se ky investim i komshiut e ka bllokuar, pasi nuk ka si të dalë nga shtëpia.
Ai shpjegon me anë të një video të gjithë situatën nga terreni, duke treguar dhe portën e vendosur, e cila sipas tij ka marrë dhe ‘bekimin’ e kryetarit të Njësisë Administrative, i cili nuk ka marrë asnjë masë për parandalimin e këtij konflikti.
“Shteti nuk ve dorë fare, vetëm kur të arrimë tani të vritemi se rrugëdalje tjetër nuk ka,” thotë Fadili në video.
Ai kërkon që institucionet lokale dhe që kanë kompetencë për këtë çështje të reagojnë, pasi situata është shumë e agravuar.
Më poshtë denoncimi i plotë:
Përshëndetje JOQ! Jam një banor që jetoj te ish-Sanatoriumi në Tiranë, rruga Grigor Cilka.
Komshiu ka vënë portë në rrugën që është e përbashkët. E kemi të përbashkët se nuk kemi rrugë tjetër. E kemi blerë para 20 vitesh dhe pronari i tokës ka lënë rrugën në mes.
Tani komshiu e ka shtruar me beton me lejen e kryetarit të Njësisë Administrative, i ka vënë portë dhe ne nuk dalim dot nga shtëpia. Jemi shtëpi private të dyja.
Shteti nuk ve dorë fare, vetëm kur të arrimë tani të vritemi se rrugëdalje tjetër nuk ka