Në një kohë kur Tirana pretendohet të jetë qyteti më i zhvilluar i vendit dhe një qytet europian, qytetarët e saj përballen çdo ditë me një krizë elementare dhe të papranueshme: mungesën e ujit të pijshëm.
Në një deklaratë për media, anëtari i Këshillit Bashkiak, Artan Distafa, hodhi dritë mbi këtë realitet të hidhur dhe shpalos të vërtetat e dhimbshme për paaftësinë, mashtrimet dhe propagandën që kanë karakterizuar qeverisjen në nivel lokal dhe qendror ndër vite.
Deklarata e anëtarit të Këshillit Bashkiak në bashkinë e Tiranës, Dr. Artan Distafa.
Të nderuar qytetarë, sot Tirana është në nivelin më të ulët të rajonit dhe Europës për furnizimin me ujë. Kryeqytetasit marrin vetëm 3 deri në 5 orë ujë në ditë, ndërkohë që në shumë lagje të kryeqytetit, ky shërbim jetik jepet edhe më pak. Kjo është një krizë e rëndë e qeverisjes, një turp kombëtar që tregon fytyrën e vërtetë të pushtetit lokal dhe atij qendror.
Ky realitet është një mashtrim i hapur ndaj qytetarëve, sepse gjatë gjithë fushatave elektorale është premtuar dhe garantuar shërbim 24 orë në 24 me ujë të pijshëm, madje duke e quajtur turp mosfurnizimin me ujë 24 orë, Kryeministri premtoi ta realizonte brenda mandatit të parë qeverisës, por rezultoi të ishte një mashtrim, sikundër rezultoi në mandatin e dytë, të tretë dhe mandati i katërt e gjeti me po të njëjtën propagandë të shëmtuar. Premtim pas premtimi, fasadë pas fasade, qytetarët janë mashtruar dhe sot, pas më shumë se një dekade, Tirana ende nuk ka ujë të pijshëm të sigurt dhe të përhershëm.
Ndërkohë, faturat e ujit vetëm rriten, investimet preken nga korrupsioni dhe prioritetet e pushtetit shkojnë për projekte luksi, propagandë dhe shfaqje publike, ndërsa nevoja bazë e qytetarëve, uji i pijshëm, lihet në harresë. Qytetarët nuk kanë nevojë për pallate të reja, sheshe të rilyera apo fasada të zbukuruara. Ata kanë nevojë të hapin rubinetin dhe të gjejnë ujë, jo ajër dhe justifikime!
Është e turpshme që në vitin 2025, kryeqyteti i Shqipërisë të furnizohet më keq se çdo qytet tjetër i rajonit. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës jo vetëm që kanë dështuar, por kanë edhe guximin të bëjnë propagandë sikur situata po përmirësohet. Ky është një skandal i dyfishtë, mungesë shërbimi dhe mashtrim publik.
Ne, Grupi i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë, i bëjmë thirrje qeverisë dhe pushteti lokal të ndalojnë alibitë, të ndalojnë mashtrimet dhe të përballen me realitetin. Uji nuk është luks dhe as fasadë, uji është e drejtë themelore, është jetë! Çdo ditë që qytetarët rrinë pa ujë, është dëshmi e paaftësisë dhe arrogancës së pushtetit.
Tirana nuk mund të pranojë më të jetojë me orar për ujin. Është koha që qeveria dhe bashkia të japin llogari për premtimet e pambajtura dhe për turpin që i kanë sjellë kryeqytetit dhe gjithë Shqipërisë.