Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike u ka bërë apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm nga mesazhet që mund të mbërrijnë në telefonat e tyre, pasi kanë të bëjnë me një mashtrim.
Sipas AKSK një mesazh mashtrues që njofton për marrje gjobash, ka për qëllim marrjen e të dhënave personale, prandaj sms të tilla në telefon nuk duhen klikuar.
Njoftimi i AKSK:
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon se po qarkullon një mesazh “smishing” që synon të mashtrojë qytetarët me gjoba të rreme për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Mesazhi përmban një link mashtrues dhe kërkon kryerjen e pagesave online. Ky nuk është një komunikim zyrtar nga institucionet shtetërore dhe çdo qytetar që e merr këtë SMS duhet ta injorojë dhe të mos klikojë në link, apo të japë të dhëna personale.
AKSK ka ndërmarrë menjëherë masat për raportimin e bllokimit të faqes, për të parandaluar çdo dëm të mundshëm.
Ju bëjmë thirrje qytetarëve:
Mos hapni linqe të dyshimta që vijnë nga SMS ose email-e jozyrtare.
Mos kryeni kurrë pagesa përmes faqeve që nuk janë domaine zyrtare.
Njoftoni menjëherë AKSK ose institucionet përkatëse nëse hasni mesazhe të tilla.